Dy shtetas të Azerbajxhanit therën me thikë në një banesë në Ulqin, policia në kërkim të autorëve

Dy shtetas të Azerbajxhanit, A.M. (34) dhe Dž.A. (39), janë plagosur mbrëmjen e sotme në Ulqin, pasi janë sulmuar me thikë në një banesë pranë rrugës që të çon në Plazhin e Madh. Ata janë transportuar për trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm në Tivar.

Sipas informacioneve të siguruara nga “Vijesti”, dy të plagosurit janë goditur me thikë nga persona ende të paidentifikuar, të cilët janë larguar nga vendngjarja menjëherë pas sulmit.

“Shërbimi i urgjencës i Drejtorisë së Sigurisë në Ulqin është njoftuar sonte, rreth orës 20:55, se dy persona janë plagosur në një banesë në një ndërtesë banimi në territorin e Komunës së Ulqinit. Menjëherë pas njoftimit, oficerët e policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë masat dhe veprimet e nevojshme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Malit të Zi.

Në të njëjtën deklaratë shtohet se për ngjarjen është informuar edhe prokurorja shtetërore nga Prokuroria e Lartë në Podgoricë.

“Shërbimet e Qendrës Rajonale të Sigurisë Jug dhe të Drejtorisë së Sigurisë Ulqin po ndërmarrin veprime urgjente për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes, si dhe për të identifikuar, lokalizuar dhe arrestuar autorët e këtij krimi.”

Policia njoftoi se do të informojë qytetarët në mënyrë të fazuar për rezultatet e hetimit, pas ndërmarrjes së masave fillestare.

https://imasdk.googleapis.com/js/core/bridge3.700.0_sr.html#fid=goog_1044176067