Kreu i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, komentoi vendimin e Gjykatës Administrative për rikthimin e Kripores së Ulqinit fondit privat “Eurofond”, duke i bërë thirrje shumicës parlamentare që të mos lejojë rikthimin e praktikave të ish-qeverisjes së DPS-it, por të bashkëpunojë me partinë e tij për ta kthyer Kriporen në pronësi të shtetit.
“Bëhet fjalë për një territor të gjerë – 15 milionë metra katrorë. Ka edhe zona moçalore, ndërtesa administrative, basene… Vlera e përgjithshme është të paktën 200 milionë euro. Pas një beteje të madhe nga qeveria e kaluar, tani Gjykata Administrative dëshiron t’i rikthejë gjërat siç ishin më parë. Ne do të përpiqemi me të gjitha mjetet për t’u kundërvënë oligarkëve”, deklaroi Abazoviq në një konferencë për shtyp në Kuvendin e Malit të Zi.
Ai u shpreh krenar për qeverinë e kaluar që ai e ka drejtuar, e cila, siç tha, kishte arritur ta kthente Kriporen në pronësi shtetërore.
“Dua të kujtoj se oligarkët e ‘Eurofondit’, dhe veçanërisht Vesko Baroviq, e kanë blerë Kriporen për vetëm pesë cent për metër katror. Nëse kanë menduar se përmes Këshillit për Privatizim do ta merrnin edhe truallin në pronësi, ua them qartë se kjo nuk do të ndodhë. Në atë kohë, së bashku me ambasadoren e Gjermanisë, znj. Steinaker, e kemi ndalur një gjë të tillë”, theksoi ai.
Abazoviq shtoi se nuk i takon atij të komentojë vendimet gjyqësore, por theksoi se partia e tij nuk do të qëndrojë në heshtje përballë “shkatërrimit të shtetit dhe natyrës së tij”.
“Nëse ndokush mendon se për shkak të lidhjeve familjare apo shoqërore mund të veprojë si të dojë, ne kemi vendosur standarde të reja. Do të vazhdojmë përpara dhe do të ndjekim të gjitha hapat ligjorë”, përfundoi Abazoviq.