Kompania Eagle Hills, në pronësi të biznesmenit të njohur Mohamed Alabar, ka nënshkruar një kontratë për marrjen me qira të një plazhi në rivierën e Ulqinit. Lajmi është konfirmuar për gazetën Dan nga Ndërmarrja për Menaxhimin e Pasurive Bregdetare të Malit të Zi (Morsko dobro).
Bëhet fjalë për një lokacion të regjistruar në kadastër me emrin 10M, që i përket plazhit të njohur Tropikana.
Nga ky institucion sqarojnë se, megjithëse Alabar kishte paralajmëruar tërheqjen nga të gjitha plazhet në Ulqin dhe t’u linte hapësirë ofertuesve të mëparshëm, këtë plazh ai ka qenë i detyruar ta marrë me qira, për shkak se ofertat e tjera të paraqitura për të nuk kanë qenë të vlefshme.
Kujtojmë se Mohamed Alabar kishte ofruar shumën më të lartë në ankandin publik për qiradhënien e plazheve në Mal të Zi. Mirëpo, pas reagimeve të forta nga opinioni publik dhe shoqëria civile, ai vendosi të tërhiqej nga pjesa më e madhe e plazheve në Ulqin.