“Nga Heshtja te Reagimi: Lufta për të Mos Lejuar Shuarjen e ‘Kohës Javore’”

Intelektualët kundërshtojnë cenimin e së vetmes gazetë në gjuhën shqipe 

Për ta ndërkombëtarizuar problemin e “Kohës Javore”, iu drejtova me një njoftim ambasadave më të njohura perëndimore, të cilat vepronin në Podgoricë dhe kishin një ndikim të fuqishëm në politikën malazeze. Pjesa më e madhe e këtyre ambasadave shfaqen interesim për hollësitë tjera lidhur me “Kohën Javore” dhe me respekt kërkuan informacione shtesë për veprimtarinë e kësaj gazete.

Panoramës së reagimit ndaj cenimit të “Kohës Javore” i shtohen edhe debatet dhe analizat e intelektualëve të pavarur dhe bashkëpunëtorëve të shumtë të “Kohës Javore”, të cilët këtë veprim e cilësojnë si tejet të dëmshëm ndaj informimit shqip në Malin e Zi.

Intelektualja dhe opinionistja shqiptare nga Mali i Zi, Xhoana M. Perkaj ishte e njohur me shkrimet e saj historike, analitike dhe kritike, e cila zhvilloi një qasje bashkëkohore dhe një kulturë të veçantë në publicistikën shqipe në Malin e Zi.

IMG_6493-614x1024 “Nga Heshtja te Reagimi: Lufta për të Mos Lejuar Shuarjen e ‘Kohës Javore’”

Në një opinion me mbititull “Dita kur Koha Javore nuk doli në shitje” dhe me titull “Një ëndërr e keqe”, autorja bën një analizë të gjithanshme duke e cilësuar mosdaljen e gazetës si një ngjarje të paprecedent.

“Për të parën herë për shtatë vjet, më 16 prill 2009, Koha Javore nuk doli nga shtypi. Dy ditë më vonë, të shtunën, pasi që shikova edicionin e emisionit të TV MZ në gjuhën shqipe ‘Mozaiku’ dhe intervistën dramatike të gazetarit me kryeredaktorin e KJ, Salaj, isha e gatshme që kopertinën e numrit të fundit të kësaj gazete ta vë në kornizë dhe ta vari në mur si suvenir”.

Duke theksuar rolin e stafit dhe përgatitjen e mundimshme të kësaj gazete, Xh. Perkaj vë në dukje rolin vendimtar në ruajtjen e identitetit kulturor të shqiptarëve.

“Tani mund të themi se kjo gazetë është bërë kult. E ardhmja do të tregojë se sa KJ ka luajtur rol vendimtar në ruajtjen e identitetit kulturor të shqiptarëve në Mal të Zi… Kjo gazetë ka bërë që ne, si autorë që i takojmë një pakice kombëtare, të mbetemi në rrjedhat e kulturës mbarëkombëtare. KJ ka qenë shans që opinionet tona në fushën e politikës, kulturës, rrjedhave shoqërore të afirmohen në nivel mbarëkombëtar. Nga KJ artikujt tonë janë ribotuar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Diasporë”,shkruhet, mes tjerash, në opinionin e autores Xh. Perkaj.

Edhe analisti dhe publicisti Robert Camaj vë në dukjepërpjekjen e shuarjes së “Kohës Javore” e që do të ishte një “handikap” për lexuesin.

“Ata që janë mësuar me këtë të përjavshme, do ndihen të hendikepuar, sepse na ka shërbyer si grumbulluese e kujtesës sonë kolektive që nuk lejon të harrohet… Ne që ruajmë me fanatizëm të gjithë numrat e saj, dimë dhe vlerësojmë rëndësinë që pati kjo revistë për gjithë atë periudhë sa ishte dhe vazhdon të jetë në mesin tonë”, vlerëson ai. 

Në fund të shkrimit, Robert Camaj iu bën thirrje intelektualëve dhe krijuesve shqiptarë nga Mali i Zi që të krijohet një grup joformal për mbrojtjen e saj.

“Koha Javore duhet të jetë projekti mbi të cilin duhet punuar të gjithë ne shqiptarët në Mal të Zi apo edhe ne që kemi një interes të veçantë që ajo të mbijetojë, dhe i ftoj të gjithë ata që kanë shkruar dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë përmes Kohës Javore që të bëhet një takim ku do shqyrtohen mundësitë se si ajo të ketë një grup informal në krah të saj.”

Rreth kësaj çështjeje reaguan edhe shumë personalitete nga bota intelektuale dhe e gazetarisë, të cilët e mbështetnin “Kohën Javore” me interes që kjo revistë të shndërrohet në gazetë ditore. (vazhdon)

Fuqia e medias si zgjidhje e problemit të Kohës Javore

Duke e ditur rolin e medias në përhapjen e informacionit dhe ndikimin e madh që ka në politikë dhe në formimin e opinionit publik, u përcaktova që përmes saj të arrijmë qëllimin për ta mbrojtur “Kohën Javore”.

I vetëdijshëm se mediat gjithnjë marrin një rol drejtues dhe orientues në krijimin e realitetit, fillimisht informacionin e shpërndava në mediat në gjuhën malazeze në mënyrë që politikanët, intelektualët dhe institucionet tjera të komunitetit shumicë të kenë qasje në një problem, siç ishte informimi në gjuhën shqipe.

Me lidhjet dhe raportet e mira që i kishim me kolegët në mediat malazeze (Vijesti, Dan, Zid, Monitor etj.) arritëm të plasojmë pikërisht temën e “Kohës Javore”, ku këto media në forma të ndryshme i dhanë edhe përparësi. Në këtë mënyrë këto media jo vetëm përcaktuan temën e rëndësishme, por edhe hierarkinë e tyre sipas rëndësisë, gjë që pa dyshim ndikoi në opinionin publikdhe në institucionet politike të vendit.

Në këtë kuadër ishte bashkëpunimi me kolegun Mustafa Canka, me të cilin kisha edhe marrëdhënie të mira shoqërore. Si njeri nga bota e gazetarisë dhe e komunikimit, ai ishte njëri ndër gazetarët më të njohur në Malin e Zi, i cili punonte për disa media vendore në gjuhën malazeze (Vijesti, Monitor) dhe ndërkombëtare (Deutsche Welle). Canka është njohës i mirë i zhvillimeve politike në Malin e Zi, prandaj shkrimet e tij kishin peshë të veçantë në opinionin malazez, por edhe në qarqet e ndryshme të vendimmarrjes në kryeqytet. Duke punuar për mediat e pavarura dhe opozitare, Canka kishte një ndjeshmëri të veçantë për të ndezur debate dhe për të shkaktuar reagime deri tek qarqet më të larta politike në Malin e Zi.

Në bashkëveprim Canka i dha një hapësirë të konsiderueshme çështjes së “Kohës Javore” në revistën e pavarur malazeze “Monitor”, me titullin “Vetëm presioni jep rezultat”, ku artikulli në mënyrë kronologjike flet për problemin e kësaj gazete.

“Hapi i parë u ndërmor nga vetë redaksia. Anëtarët e saj refuzuan propozimin që ‘Koha Javore’ të dalë para lexuesve më 16 prill si shtojcë e ‘Pobjedës’”.
Reagimet e partive shqiptare nuk munguan dhe ato do të mund të përmblidheshin në dy fjali: “Mali i Zi në këtë mënyrë nuk mund të hyjë në Evropë. Ky është diskriminim”.

***

Reaguan edhe organizatat joqeveritare shqiptare dhe intelektualët e pavarur, diaspora nga SHBA-ja, diplomatët e huaj. Të gjithë ishin të befasuar me mënyrën sipas të cilës Mali i Zi, i cili, siç preferojnë të deklarojnë krerët e tij, është “oazë edemokracisë multietnike në Ballkanin Perëndimor”, tenton të reduktojë dhe të shuajë të vetmen të përjavshme në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
Qytetarët e Ulqinit deklaruan në një anketë se ata janë më të zellshmit në pagimin e tatimit dhe se me Kushtetutë është përcaktuar detyrimi që të financohet informimi në gjuhët e pakicave.
Zyrtarët malazezë u gjetën të befasuar. 

“Ne nuk dimë asgjë për këtë. Do ta zgjidhim problemin”, ishte komenti i tyre i vetëm.

Në këtë artikull Canka përdor një gjuhë dramatike duke nxjerrë në pah qëllimin e vërtetë të autoriteteve në Malin e Zi karshi Kohës Javore.

“…kjo e përjavshme është bërë literaturë e pashmangshme për elitën kulturore dhe politike të shqiptarëve në Malin e Zi. Ndoshta kjo pavarësi edhe u ka penguar atyre të cilët marrin vendime, kështu që u kërkua rasti i përshtatshëm që gazeta të shuhej”, shkruhej në artikullin e M. Cankës në revistën e pavarur “Monitor”.

Ishte kjo një fushatë klasike mediatike, e ndërthurur me një sërë ndikimesh dhe faktesh për të krijuar një opinion të qartë mbi dukurinë e shfaqur lidhur me “Kohën Javore”. Duke iakomunikuar në këtë mënyrë mesazhin audiencës, lexuesit (të cilët janë edhe votues) e më së shumti vendimmarrësve politikë,u hetua ndikimi i menjëhershëm dhe i fuqishëm te strukturat e menaxhimit të Shtëpisë Botuese “Pobjeda”.

Në mesnatën e 10 prillit më telefonoi drejtori ekzekutiv i SHAGBG, Dragan Sharoviq, i cili në emër të Bordit më tha: “Mos e bëni shumë të madhe çështjen e Kohës. Ndale, se çdo gjë është në rregull. Do të vazhdojë botimi i saj”.

Kjo më përkujtoj fuqinë e medias si pushtet i katërt që mund të ndikojë në zgjidhjen e problemeve të ndryshme dhe t’i detyrojë politikëbërësit që t’i korrigjojnë veprimet e tyre.

Në mbledhjen e radhës së Bordit të Drejtorëve, krahas anëtarëve të rregullt më ftuan edhe mua dhe në këtë takim drejtori i përgjithshëm Luburiq me mirësjellje më përshëndeti dhe ma dha dorën duke përshpëritur: “E shpëtuat Kohën Javore”. (Fund)