“Thirrjet ‘Vrite Turkun!’ – njësoj si para agresionit ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës – u dëgjuan mbrëmë në Zabjelo, si kujtesë se fashizmi është rikthyer dhe ka nisur një shfaqje të re shkatërruese”, thuhet në reagimin e Qendrës PEN të Malit të Zi, të cilin e ka përcjellë Sanja Orlandić.
Sipas Qendrës PEN, atmosfera e helmuar që po krijohet nga përfaqësues të pushtetit, duke nxitur urrejtje kombëtare dhe fetare, ka çuar në shpërthim të primitivizmit dhe në thirrje për linçim të shtetasve turq në rrugë.
“Ajo që pamë mbrëmë në rrugët e Podgoricës tregon se ksenofobia është shndërruar në vlerë të zyrtarizuar të pushtetit. Kjo atmosferë e krizuar prej pesë vitesh ka kthyer shoqërinë në gjendjen e viteve të hershme ’90. Thirrjet ‘Vrite Turkun!’, identike me ato para luftës në Bosnje, u dëgjuan si paralajmërim se fashizmi është ringjallur dhe po ecën lirshëm”, thuhet në deklaratë.
“Incidenti u shndërrua qëllimisht në dënim kolektiv”
Sipas Qendrës PEN, fakti që një incident i vetëm u interpretua si “faj i një kombi të tërë” në mediat pranë pushtetit, nuk është rastësi.
Pas deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç – se “Turqia po ëndërron rikthimin e Perandorisë Osmane” dhe “nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor” – politikanë të afërt me të në Mal të Zi, si Milan Kneževiq, Milivoje Brkoviq dhe Vladimir Dobriçanin, përsëritën të njëjtën retorikë, duke nxitur frikë dhe armiqësi ndaj të huajve.
Nga deklaratat se “110 mijë shtetas turq në Mal të Zi janë shumë”, deri te akuzat për “sjellje arrogante” dhe “neo-osmanizëm”, ata po krijojnë atmosferë linçimi, e cila amplifikohet nga mediat që i mbështesin.
Thirrje për veprim
Qendra PEN paralajmëron se kjo nuk është ngjarje e izoluar, por pjesë e një përpjekjeje për të normalizuar urrejtjen dhe për të rindërtuar shoqërinë sipas modeleve kleronacionaliste.
Ajo u bën thirrje:
- organizatave të shoqërisë civile
- komunitetit akademik
- forcave politike që mbrojnë paqen
që të veprojnë së bashku për të larguar nga pushteti ata që nxisin urrejtje dhe dhunë, dhe të kërkojnë rivendosjen e sundimit të ligjit.
Po ashtu, ftohen edhe partnerët ndërkombëtarë – sidomos shtetet anëtare të NATO-s – të mos injorojnë shfaqjet e fashizmit në rrugët e Malit të Zi, por të ushtrojnë presion politik për parandalimin e përshkallëzimit të mëtutjeshëm.
Situata në Zabjelo
Në lagjen Zabjelo u vu re prani e madhe policore, pasi një i ri 25-vjeçar u sulmua me thikë natën e kaluar. Banorë të revoltuar u mblodhën dhe lëshuan thirrje fyese kundër shtetasve turq.
Sipas raportimeve, tre shtetas turq u strehuan brenda një kazinoje nga frika e sulmit, ndërsa policia i nxori dhe dy prej tyre i shoqëroi, pasi njëri dyshohet të jetë i përfshirë në incident.
Pas ndërhyrjes, turma filloi të shpërndahej.
Reagimi i Kryeministrit
Kryeministri Milojko Spajiq njoftoi se Qeveria, nesër me procedurë të përshpejtuar, do të marrë vendim për pezullimin e përkohshëm të regjimit pa viza për shtetasit e Turqisë.
Info Shqip