“Flamuri shqiptar quhet ‘i huaj’: KKSH akuzon Policinë e Ulqinit për shkelje të ligjit”

KUMTESË PËR OPINION

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi është informuar për rastin e marrjes në pyetje të qytetarit nga komuna e Ulqinit, nga ana e nëpunësit policor të Njësisë së Sigurisë në Ulqin, për shkak të ngritjes së flamurit kombëtar në hapësirat e pronës private-familjare. 

Duke pasur qasje direkte në procesverbal, vlerësojmë se bëhet fjalë për shkelje të Ligjit për simbole kombëtare të Malit të Zi dhe Ligjit për rend dhe qetësi publike, prandaj e dënojmë ashpër këtë akt, i cili cenon të drejtën e përdorimit të flamurit kombëtar, i cituar në procesverbal si “flamuri i shtetit tjetër”.

Me këtë rast theksojmë se ky është një interpretim i gabuar dhe i pabazuar i ligjeve në fuqi. Flamuri të cilit nëpunësi i policisë i referohet si simboli i një shteti tjetër, në këtë rast është famuri kombëtar i shqiptarëve, i pranuar zyrtarisht, për të cilin Qeveria e Malit të Zi ka dhënë pëlqimin e saj më 24 shtator 2020, ndërsa dokumenti “Etaloni i stemës, flamurit, himnit dhe festës kombëtare të popullit shqiptar në Mal të Zi” është dorëzuar zyrtarisht dhe është arkivuar në Kuvendin e Malit të Zi, më 23 mars 2021, siç e parasheh ligji në fuqi për simbolet e pakicave kombëtare.

Ju kujtojmë se neni 4 i Ligjit për Zgjedhjen, Përdorimin dhe Shfaqjen Publike të Simboleve Kombëtare përcakton qartë të drejtën e Këshillave të pakicave për të përcaktuar simbolet e tyre kombëtare. Gjithashtu, Ligji për Rendin dhe Qetësinë Publike (neni 23) thekson shprehimisht se shpalosja publike e simbolit të një shteti tjetër nuk konsiderohet shkelje nëse i njëjti është simbol i një kombi pakicë në përputhje me një ligj të veçantë.

Prandaj, duke pasur parasysh se jemi në prag të festës së 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar, kërkojmë nga institucionet kompetente që të mos ushtrojnë presion mbi qytetarët me kombësi shqiptare që duan të shfaqin identitetin dhe krenarinë kombëtare përmes simboleve të tyre, por të respektojnë ligjet në fuqi të Malit të Zi dhe në këtë rast të respektojnë të drejtat e arritura të pjesëtarëve të pakicave kombëtare.

Lidhur me këtë rast Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve iu ka dërguar shkresë zyrtare institucioneve shtetërore përgjegjëse duke kërkuar ndërmarrjen e masave ligjore dhe me qëllim që të parandalohet përsëritja e situatave të ngjashme në të ardhmen. 

Kryetari i KKSH-së

Faik Nika