Ali Salaj
Pjesëmarrja e partive politike shqiptare në Qeverinë e Malit të Zi u bë në emër të “ndikimit pozitiv në kursin e saj evropian, i cili është i padiskutueshëm”. Sipas këtyre partive, ata janë “promovuesit më të mirë të rrugës evropiane të Malit të Zi”, dhe se kjo, sipas mendimit të tyre, është konfirmuar disa herë dhe në disa qendra të vendimmarrjes.
Në këtë kuadër ata thirren në Marrëveshjen e koalicionit qeverisës, të cilën e konsiderojnë si një testament politik, i cili ju siguron “qeverisjen e sigurtë dhe të pacenueshme”.Mirëpo, në realitet, ajo marrëveshje aktualisht është shndërruar në një “trampolinë” të përfaqësuesve shqiptarë për tu qasur në lojën dhe benefitet e pushtetit politik. Dhe fetishizimi i komoditeteve nuk i lë të shohin se me ndihmen indirekte të tyre po ndërtohet “Bota serbe” dhe po rrudhet hapësira shqiptare në Malin e Zi.
Për një kohë të shkurtër partitë pro-serbe dhe pro-rusenë Malin e Zi qartësisht zbatuan objektivat e tyre, duke emërtuar rruga, institucione dhe duke u ngritur përmendore çetnikëve, fashistëve dhe luftëtarëve të viteve 90-të, që vdiqën gjatë agresionit në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë. Derisa partitëretrograde po e relativizojnë politikën kriminale, në hapësirën identitare të shqiptarëve në Malin e Zi, gati çdo gjë po rrudhet dhe po injorohet në formën më primitive. Prishja e monumentit të Isuf Çelajt dhe arsyetimi me këtë rast e ministres së Kulturës dhe Medias në Malin e Zi, reagimi për nismën e ndyshimt të emrit të gjimnazit në Tuz nga “25 Maji” në “Besëlidhja e Malësisë”, ndërprerja e filmit shqiptar“Lejleku” të Isa Qosjes në Podgoricë, thirrjet antishqiptare nëpër manifestime sportive dhe kulturore, sinjalizojnë se ky ligjërim po ndodhë në kohën e përfaqësimit më të madh të përfaqësuesve shqiptarë në Qeverinë e Malt të Zi dhe të cilët pretendojnë se po e “influencojnë drejtimin e pushtetit”. Këtu qëndron paradoksi më i madh i përfaqësuesëve shqiptarë në Qeveri, në raport me praktikën e përditshme të krijuar në Malin e Zi. Derisa të zhytur në vetëkënaqësinë e vet, shteti po i nënshtrohet nacionalizmit serb me partitë klerofashiste që po ushqejnë mitet e rreme për ta shndërruar Malin e Zi në “Spartën Serbe”. Edhe në këtë situatë partitë politike shqiptare vazhdojnë ligjërimin politik me retorikën ditore, sikur asgjë nuk ka ndodhur, duke u përpjekur që ta lënë jashtë vemendjes rolin e tyre në politikë dhe në institucionet përkatëse. Aq më shumë, ata mendojnë se me këtë format politik të krijuar, që anashkalon problemet reale, nuk mbajnë përgjegjësi për pasojat, por përkundrazi, mund të ndikojnë pozitivisht te zgjedhësit e tyre dhe në rritjen e votës. Megjithatë, shpërfillja për hir të interesave të ngushta do të jetë një bumerang me pasoja të gjata dhe të pariparueshme për partitë politike shqiptare në Malin e Zi.
Shkrimtari dhe analisti i njohur, Andrej Nikolaidis,duke shkruar për ndërprerjen e filmit “lejleku” të Isa Qosjes dhe për ngjarjet tjera në Mal të Zi, e përfundoi artikullin me një fjali të thjeshtë,por shumë domethënëse, në gjuhën shqipe: “Zhdukuni hajvana”.