Drejtoria për Transport e Malit të Zi ka shpallur tender për realizimin e punimeve në rikonstruksionin e rrugës rajonale R-15, në segmentin Ostros – Katërkollë. Vlera e përgjithshme e punimeve është vlerësuar në 17 milionë euro pa TVSH, është bërë e ditur nga ky institucion.
Projekti përfshin rikonstruksionin e një segmenti rrugor me gjatësi prej rreth 17 kilometrash, i cili shtrihet në territorin e komunave Tivar dhe Ulqin.
“Parashikohet zgjerimi i korsisë ekzistuese, ndërtimi i korsive për automjetet e ngadalta, si dhe përmirësimi i sistemit të drenazhimit të ujërave atmosferike përmes rigolave betoni, kanaleve ekzistuese dhe tubave kullues,” thuhet në njoftim.
Gjithashtu, projekti parashikon rikonstruksionin e një ure, ndërtimin e mureve mbajtëse dhe sanimin e rrëshqitjeve të dheut, çka pritet të përmirësojë ndjeshëm sigurinë e kësaj rruge.