Ana e Malit është zona më identitare e shqiptarëve në Malin e Zi, e cila që në nismën e proceseve demokratike ishte në ballë të ndryshimeve pluraliste në vend. Zona e Anës së Malit, që përfaqëson një të tretën e elektoratit në Komunën e Ulqinit, si për ironi të fatit ka mbetur në margjinat e interesimit ekonomik dhe social nga ana e pushtetit vendor. Përkundrazi kjo zonë me qendër në Katërkollë është shndërruar në një kasaba orientale me pamje të shëmtuar ku tregu i bagëtive mbahet në rrugë e qendra ka pamjen e varrezave të automjeteve, shkruan Info shqip.

Kjo e ashtequajtur qendër e Anës së Malit sot është pa trotuare, pa kalime të shënuara në rrugën ndërkombëtare Shqipëri-Mali i Zi, pa një ministacion, pa vendparkime dhe me një objekt të vjetër gati për tu shembur. Dhe në këtë kaos dhe degradim po ndërtohen objekte pa leje mu në rrugë dhe në pikë të ditës para syve të institucioneve përkatëse komunale.
I gjithë ky degradim i mjedisit po ndodhë në kohën kur Komuna e Ulqinit kishte dy nënkryetarë anamalas, ka shefin e kabinetit të kryetarit dhe disa udhëheqës të digastereve të ndryshme që janë nga kjo zonë. Edhe pse Komuna e Ulqinit është e stërmbushur me kuadro nga Ana e Malit, ata gjithnjë tregohen të painteresuar dhe apatik për vendlindjen e tyre dhe aktivizohen një herë në katër vjetë gjatë fushatës për zgjedhjet vendore për të fituar edhe një mandat për të vazhduar kaosin në qendrën e Katërkollës. (Info shqip)