“BE paralajmëron Malin e Zi: Historia nuk rishkruhet me propagandë”


Në raportin e Komisionit Evropian për Malin e Zi, i cili u miratua sot nga Parlamenti Evropian, jepet një paralajmërim i qartë për rreziqet e përdorimit të historisë në mënyrë revizioniste për qëllime politike, duke theksuar se kjo qasje minon përgjegjësinë dhe thellon ndarjet shoqërore në vend.

Komisioni Evropian, siç thuhet në raport, dënon lavdërimin e kriminelëve të luftës dhe mohimin publik të gjerë të vendimeve të gjykatave ndërkombëtare për krimet e luftës, madje edhe nga përfaqësues të pushtetit.

“Komisioni Evropian ka përsëritur thirrjen për hapjen e arkivave që lidhen me ish-republikat jugosllave dhe për mundësimin e qasjes në dosjet e ish-shërbimit sekret jugosllav dhe të Ushtrisë Popullore Jugosllave, në mënyrë që të hetohen në mënyrë të plotë edhe krimet e mundshme të epokës komuniste”, thuhet ndër të tjera në raportin e paraqitur para eurodeputetëve nga raportuesi i përhershëm për Malin e Zi, Marjan Sharec.

Raporti thekson se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal janë elemente thelbësore të procesit të zgjerimit të BE-së, ndërsa vlerësohet pjesëmarrja aktive e Malit të Zi në iniciativat për bashkëpunim rajonal.

Megjithatë, Komisioni shpreh keqardhje që Kapitulli 31 nuk arriti të mbyllej në dhjetor të vitit 2024 dhe bën thirrje që të gjitha palët e përfshira të gjejnë zgjidhje për çështjet e mbetura bilaterale në mënyrë konstruktive dhe me frymë fqinjësie të mirë, duke vendosur në qendër interesat e ardhshme të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

BE gjithashtu nënvizon nevojën për të shmangur përdorimin e mosmarrëveshjeve bilaterale dhe rajonale si mjete për bllokimin e procesit të anëtarësimit të vendeve kandidate. Në këtë drejtim, përshëndetet dialogu ndërmjet Kroacisë dhe Malit të Zi për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe inkurajohen autoritetet që të vazhdojnë me masa konkrete për ndërtimin e besimit.

Komisioni Evropian i bën thirrje Malit të Zi të ndjekë një qasje proaktive në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, në përputhje me të drejtën dhe standardet ndërkombëtare, duke identifikuar dhe ndjekur penalisht autorët, garantuar drejtësinë dhe dëmshpërblimin për viktimat, si dhe duke ndriçuar fatin e personave të zhdukur.

“Mali i Zi duhet të sigurojë burime të mjaftueshme për prokurorët dhe gjykatat e specializuara dhe të hetojë në mënyrë aktive të gjitha akuzat për krime lufte, përfshirë përgjegjësinë komanduese, si dhe të rishikojë rastet e kaluara që nuk janë trajtuar sipas ligjit ndërkombëtar apo kombëtar. Komisioni nxit gjithashtu bashkëpunimin rajonal në hetimin dhe ndjekjen penale të individëve të akuzuar për krime të luftës”, thuhet në raport.

Zgjidhja e këtyre çështjeve dhe mbrojtja e fakteve të konfirmuara gjyqësisht janë të një rëndësie thelbësore për ndërtimin e besimit, përforcimin e vlerave demokratike, pajtimin rajonal dhe forcimin e marrëdhënieve bilaterale me vendet fqinje, thekson Komisioni, duke inkurajuar Malin e Zi të intensifikojë përpjekjet në këtë drejtim.

Përgatiti: Aleksandra Obradović