Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka lëshuar një tjetër deklaratë të ashpër në adresë të Kosovës, duke rritur tonet gjatë një interviste për televizionin shtetëror serb RTS.
I pyetur për situatën aktuale në Kosovë – përfshirë arrestimet, deportimet dhe vendimet e qeverisë së Kosovës ndaj serbëve lokalë – Vuçiq përdori një gjuhë të drejtpërdrejtë dhe paralajmëruese.
“Do të fitojmë edhe në çështjen e Kosovës. Gjërat po ndryshojnë ngadalë në botë. Dhe nuk do t’ju them se çfarë do të thotë kjo, por në fund Serbia do të fitojë. Jam absolutisht i sigurt për këtë,” u shpreh ai.
Vuçiq theksoi se ndryshimet globale po ndodhin “ngadalë, por me siguri”, duke lënë të kuptohet se Serbia do të përfitojë prej tyre, megjithatë ai nuk dha sqarime të mëtejshme për natyrën e këtyre ndryshimeve apo mënyrën se si Serbia do të “fitojë”.
Edhe pse nuk përmendi hapur ndonjë konflikt apo përballje të armatosur, komentet e tij përforcojnë retorikën nacionaliste që shpesh ka shoqëruar qëndrimin e Beogradit ndaj Kosovës.
Deklaratat e Vuçiqit vijnë në një kohë tensionesh të shtuara në veriun e Kosovës dhe në një moment kur dialogu Kosovë–Serbi mbetet i bllokuar, pa shenja përparimi konkret.