“Pranvera në Anë të Malit 2025” – Art, reflektim dhe qëndresë shpirtërore në rrëzë të Shasit

SHAS – 14-15 qershor 2025 – Në rrëzë të kodrave të lashta të Shasit, aty ku gurët flasin historinë dhe era sjell aromën e kujtesës, Shoqata “Ora” organizoi me përkushtim të veçantë edicionin e 19-të të manifestimit tradicional “Pranvera në Anë të Malit”.

Ky edicion u përjetua si një kthim në origjinë – në truallin ku nisi gjithçka – me një ndjeshmëri të thellë, të diktuar nga ngjarjet e fundit që kanë lënë gjurmë të thella në shpirtin e komunitetit. Manifestimi i këtij viti u shënua nga një program i veçantë, i fokusuar në reflektim, ndjeshmëri dhe art me peshë shpirtërore.

Pranvera nuk u festua me muzikë e hare, por me heshtjen që flet, me artin që prek zemrën dhe me kujtimin që bashkon, në nder të atyre që nuk janë më dhe përkrahje për ata që po përballen me sfida të mëdha.

Një nga kulmet e aktivitetit ishte ekspozita personale e artistes vendase Mevlida Salaj, e cila dikur ndiqte këtë festë si fëmijë, ndërsa sot u prezantua si një artiste e formuar, me një stil të veçantë dhe përplot ndjeshmëri.

Në mbrëmje, publiku përjetoi emocione të forta me monodramën “Engjëjt”, interpretuar nga aktorja shqiptare me banim në Greqi, Vefi Redhi. Teksti i veprës është shkruar nga Odise Plaku (Shqipëri), ndërsa regjinë e ka realizuar Naser Shatrolli (Kosovë).

Kryetarja e Shoqatës “Ora”, znj. Arjeta Kuri, tha për median:

“Monodrama ‘Engjëjt’ trajton një tematikë shumë të ndjeshme – dhimbjen e nënave për humbjen e fëmijëve të tyre. Këtë vit, për shkak të ngjarjeve të rënda që kanë prekur komunitetin tonë, vendosëm të mos përfshijmë programin muzikor tradicional. Humbja tragjike e një 19-vjeçari dhe gjendja e rëndë shëndetësore e një të riu tjetër 28-vjeçar, kanë lënë gjurmë në të gjithë ne. Në këtë atmosferë, arti dramatik na duket forma më e përshtatshme për të shprehur solidaritetin dhe dhimbjen.”

Dita e dytë e manifestimit ishte kushtuar sportit dhe bashkimit komunitar. Aktivitetet nisën në orën 09:00 me garën e krosit, vijuan me turneun e shahut, dhe kulmuan në orën 19:00 me një ndeshje futbolli ndërmjet institucioneve lokale – një mënyrë për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe optimizmi përmes sportit.