Aksionarët: Konfirmohet se Solana nuk ka qenë kurrë pronë shtetërore – e drejta e përdorimit duhet të kthehet në të drejtë pronësie

“Ky rast është një test për rendin juridik të Malit të Zi – a jemi një vend ku respektohet prona apo një vend ku ajo fshihet me dekret. Investimet, veçanërisht ato të huaja, varen pikërisht nga përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje.”

Përmes një vendimi të fundit të Gjykatës Administrative, është anuluar regjistrimi i paligjshëm i tokës së Solanës “Bajo Sekulić” si pronë shtetërore. Gjykata ka konstatuar se kjo tokë nuk ka qenë asnjëherë pronë e shtetit, por pronë e një shoqërie aksionare, aksionet e së cilës janë tregtuar në bursë. Vendimi i qeverisë së mëparshme për të regjistruar këtë pronë si shtetërore – pa gjykatë, pa kompensim dhe pa bazë ligjore – është tani rrëzuar dhe shpallur si i paligjshëm, theksohet në njoftimin e aksionarëve të Solanës pas vendimit të gjykatës, me të cilin aksionarëve u është kthyer përkohësisht e drejta e përdorimit të pronës së ndërmarrjes më të vjetër në Ulqin.

Aksionarët theksojnë se “nga këndvështrimi i integrimeve evropiane, autoritetet shtetërore janë përpjekur ta zgjidhin sa më shpejt çështjen e Solanës, meqë ajo lidhet drejtpërdrejt me Kapitullin 27 – Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike, i hapur që nga dhjetori i vitit 2018”. Megjithatë, në përpjekje për të përmbushur pjesërisht detyrimet nga ky kapitull, janë anashkaluar parimet themelore të Kapitullit 23 – Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, si dhe të Kapitullit 24 – Drejtësia, Liria dhe Siguria, që kërkojnë respektimin e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e të drejtave pronësore. Ky disbalancë ligjor, sipas tyre, rrezikon të bllokojë përparimin e Malit të Zi drejt anëtarësimit në BE.

Ata rikujtojnë se çdo qeveri, përfshirë edhe ato para saj, ka pasur detyrim ligjor që t’i përgjigjet kërkesës së Solanës për konvertimin e së drejtës së përdorimit në të drejtë pronësie. Kjo detyrë, sipas tyre, buron nga neni 419 i Ligjit për Marrëdhëniet Pronësore, që përcakton qartë se personave juridikë që e kanë fituar ligjërisht të drejtën e përdorimit, u njihet dhe regjistrohet e drejta e pronësisë pa ndonjë veprim të mëtejshëm juridik – në bazë të ligjit.

Sipas njoftimit, në shumë procese të tjera privatizimi si: HTP Budvanska rivijera, Plantaže, HTP Ulcinjska rivijera, dhe të tjerë, ky nen është zbatuar pa interpretime kontradiktore, ndërsa rasti i Solanës paraqet një përjashtim të padrejtë, me pasoja serioze ligjore e shoqërore.

Shteti duhet të veprojë pa vonesa

Gjykata Administrative ka rikthyer situatën në të drejtën e përdorimit, gjë që – sipas aksionarëve – i obligon institucionet që pa vonesa të ndërmarrin veprime për ta kthyer këtë të drejtë në të drejtë pronësie, ashtu siç është bërë edhe në dhjetëra raste të tjera.

Në të kundërt, paralajmërojnë, Mali i Zi rrezikon pasoja të rënda ligjore dhe financiare. Nëse nuk veprohet sipas ligjit, shteti mund të përballet me padi me vlerë mbi 200 milionë euro, përfshirë edhe para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Aksionarët thonë se vendimi i gjykatës nuk e ka zgjidhur përfundimisht problemin, por ka shmangur një kolaps financiar dhe institucional, sepse humbja e pronës private pa kompensim do të përbënte shkelje të rëndë të të drejtës kombëtare dhe ndërkombëtare, me pasoja të drejtpërdrejta në buxhetin dhe kredibilitetin ligjor të shtetit.

Veprimet e mëtejshme – drejt përgjegjësisë ndërkombëtare

Sipas tyre, çdo hap i mëtejshëm për të shmangur detyrimin nga neni 419 do të çojë në përgjegjësi të drejtpërdrejtë të shtetit për shpronësim pa kompensim, si në nivelin kombëtar ashtu edhe atë ndërkombëtar. Ata kujtojnë se kanë investuar në Solanë në mënyrë transparente, nëpërmjet transaksioneve të bursës, në përputhje me të gjitha rregullat ligjore dhe të tregut të kapitalit.

Kjo do të thotë, sipas tyre, që shteti ka pranuar legjitimitetin e pronës private, duke vepruar vetë si bashkëpronar përmes aksioneve. Përpjekjet e mëvonshme për të regjistruar administrativisht tokën në emër të shtetit kanë qenë një shkelje e rëndë e parimeve themelore të sigurisë juridike.

Nëse pranohet narrativa se Solana nuk e ka poseduar tokën, atëherë vetë institucionet shtetërore do të kishin lëshuar aksione pa mbështetje reale në pronë – një veprim që është juridikisht, institucionalisht dhe reputacionalisht i papranueshëm.

Rreziku para Gjykatës së Strasburgut

Një praktikë e tillë do të përbënte shkelje të së drejtës për gëzimin paqësor të pronës, të garantuar nga neni 1 i Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ata përmendin raste precedenciale si “Pressos Compania Naviera kundër Belgjikës”, “Broniowski kundër Polonisë” dhe veçanërisht “Yukos kundër Rusisë”, ku gjykata në Strasburg ka vendosur në favor të aksionarëve, duke i konsideruar edhe të drejtat e pritura për pronësi si të mbrojtura.

Në rastin e Solanës, ata thonë se aksionarët i kanë fituar ligjërisht aksionet, kanë investuar shuma të mëdha, dhe kanë gëzuar të drejtat për gati dy dekada – ndaj e vetmja zgjidhje juridikisht e qëndrueshme është ajo që është konfirmuar nga gjykata: se aksionet përfaqësojnë pronësi reale, përfshirë edhe truallin.

Reagime ndaj pretendimeve për çmimin e blerjes

Aksionarët e konsiderojnë si manipulim pretendimin se Solana është blerë për 800.000 euro. Ata sqarojnë se vetëm në një transaksion të datës 26 mars 2007, janë paguar 2,5 milionë euro për 4.5% të aksioneve, çmim ky që ishte 66% më i lartë se vlera nominale.

Në total, investimet e Eurofondit në Solanë – përfshirë blerjen e aksioneve, kapitalizimin dhe menaxhimin operativ – kapin shifrën mbi 11.5 milionë euro. Të gjitha këto të dhëna janë të dokumentuara dhe lehtësisht të verifikueshme në raportet financiare dhe të bursës.

Aksionarët theksojnë se formulimi se “toka e Solanës është shitur për 5 cent për metër katror” është mashtrues, sepse nuk është shitur tokë si pronë fizike – janë blerë vetëm aksione të një shoqërie aksionare, dhe çdo përllogaritje që ndan vlerën e aksioneve në metra katrorë është e pakuptimtë juridikisht dhe ekonomikisht.

Solana si Park Natyror – Po, por jo në dëm të pronës private

Ata sqarojnë se nuk e kundërshtojnë idenë që Solana të bëhet Park Natyror, por theksojnë se një status i tillë nuk mund të përdoret si bazë ligjore për të shpronësuar pa kompensim. “Ashtu si katundet e Durmitorit nuk iu janë marrë blegtorëve, edhe Solana nuk mund t’u merret pronarëve të saj të ligjshëm”, thuhet në deklaratë.

Thirrje për dialog dhe respekt të ligjit

Në fund, aksionarët u bëjnë thirrje të gjithë aktorëve politikë dhe institucionalë të largohen nga populizmi dhe të angazhohen në dialog konstruktiv me përfaqësuesit e tyre dhe të gjykatës. “Ky rast është një test për rendin juridik të Malit të Zi – a jemi një vend ku respektohet prona apo një vend ku ajo fshihet me dekret. Investimet, veçanërisht ato të huaja, varen pikërisht nga përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje”, përfundon deklarata.

Samir Adroviq nga gazeta vijesti