Mali i Zi po përballet me një debat të rëndësishëm që mund të ndikojë ndjeshëm në të drejtat e punëtorëve dhe në stabilitetin ekonomik të vendit. Gjykata Kushtetuese është duke shqyrtuar ligjin aktual që e përcakton të dielën si ditë pushimi për sektorin e tregtisë, një dispozitë që për herë të parë mbrojti në mënyrë të qartë të drejtën për pushim të punonjësve të këtij sektori.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar deputeti i Lëvizjes “Evropa Tani”, Millosh Pizhurica, i cili përmes një postimi në Facebook ka paralajmëruar për pasojat që do të mund të sjellë kthimi i të dielës si ditë pune.
“Kjo do të thotë më shumë ngarkesë për punëtorët dhe pasoja më të gjera ekonomike,” – ka shkruar Pizhurica, duke kujtuar se para miratimit të ligjit, e drejta për pushim të dielave shpesh nuk respektohej dhe varej nga vullneti i punëdhënësve.
Sipas tij, interesi për të punuar në tregti tashmë është i ulët, dhe heqja e së dielës si ditë pushimi mund ta përkeqësojë më tej këtë situatë. Ai theksoi gjithashtu se shumica e punëdhënësve tashmë kanë vështirësi për të gjetur staf të mjaftueshëm.
“Për të organizuar punën me dy turne të dielave, do të nevojiteshin rreth 15% më shumë punonjës, çka është shumë e vështirë në kushtet aktuale të tregut të punës. Për më tepër, puna të dielave paguhet 80% më shumë, ndërsa në ditët e festave shtetërore 150% më shumë, duke rritur ndjeshëm kostot e bizneseve,” – sqaroi ai.
Pizhurica paralajmëroi se këto kosto shtesë do të përkthehen në rritje të çmimeve për konsumatorët, duke rënduar më tej buxhetet familjare. Ai theksoi se çmimet janë rritur edhe më parë, të justifikuara me reformat “Evropa tani 1” dhe “Evropa tani 2”, megjithëse pagat bruto nuk kanë ndryshuar realisht.
“Në fund, konsumatorët do të jenë ata që do ta ndiejnë më shumë këtë pasojë – çmimet do të rriten, shpenzimet do të shtohen dhe siguria ekonomike do të cenohet.”
Në fund të reagimit të tij, deputeti i Lëvizjes “Evropa Tani” i bëri thirrje qytetarëve që të përfshihen në debatin publik për këtë temë të ndjeshme.
“E drejta për pushim nuk është vetëm çështje e të drejtave të punëtorëve, por edhe e paqes sonë ekonomike dhe sociale. Të parandalojmë rritjen e çmimeve dhe të ruajmë të drejtat e fituara – për të gjithë ne,” – përfundoi Pizhurica.