Përmbajtja e teksteve shkollore në gjuhën shqipe në Mal të Zi me mangësi të theksuara

Kapitulli 26-Arsimi dhe Kultura, pasi që iu bë skriningu apo ekzaminimi, ose siç njihet ndryshe “kontrrolli sistematik”, u hap dhe u mbyll brenda një dite.Ndërkohë, është më se e ditur që arsimi në gjuhën shqipe në Mal të Zi përballet me probleme të shumta.

Ali Salaj

Në fazën kur Mali i Zi po i mbyll kapitujt përfundimtarë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, për shqiptarët në Malin e Zi po mbesin të hapura shumë çështje që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë e tyre.

Në raport me pakicat, Mali i Zi, deri më tani, nuk u përball me asnjë kusht dhe nuk hasi në probleme të theksuara, përveç kundërshtimit të Kroacisë, e cila ia bllokoj kapitullin për Politikën e Jashtme, Sigurisë dhe Mbrojtjes. Planet e veprimit për Malin e Zi,përkundrazi, ishin shumë të lehta dhe mjaft shpejt të realizueshme.

Kështu, fjala vjen, Kapitulli 26-Arsimi dhe Kultura, pasi që iu bë skriningu apo ekzaminimi, ose siç njihet ndryshe “kontrrolli sistematik”, u hap dhe u mbyll brenda një dite.Ndërkohë, është më se e ditur që arsimi në gjuhën shqipe në Mal të Zi përballet me probleme të shumta.

Edhe me këtë rast përfaqësuesit politikë të shqiptarëve u vonuan dhe gjatë ekzaminimit nuk paraqiten vërejtje dhe nuk lobuan që çështjet e arsimit shqip të rishikohen dhe mundësisht kapitulli në fjalë të mbetet i hapur deri në realizimin e objektivit. Tekstet mësimore të përgatitura nga institucionet arsimore në Malin e Zi kanë mangësi të mëdha dhe nuk përmbajnë as ndonjë përqindje të vogël të lëndës kombëtare për nxënësit shqiptarë.

Problemi është më i theksuar me lëndën e Historisë, ku sipas analistit, Zef Ujkaj, “autorët e këtyre teksteve nuk janë mbartës të historisë dhe kulturës, gjuhës dhe traditave shqiptare dhe me sa duket ata jo vetëm që cungojnë informacionin, por dhe përpiqen për të sjellë të dhëna të pasakta duke synuar asimilimin dhe tjetërsimin e popullsisë shqiptare në Mal të Zi”. 

Në këtë kuadër Ministria e Arsimit të Malit të Zi premtoi se librat e historisë për shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhen shqipe duhet të përmbanin 20 për qind të lëndës Histori Kombëtare, premtim i cili jo vetëm që nuk u mbajt, por, siç vëren z. Ujkaj “e vështirësoi procesin pasi nuk u dha asnjë informacion i detajuar sesi ky 20 për qind duhet të plotësohet apo realizohet me tema të veçanta”. Kaluan me vite të tëra dhe një gjë e tillë nuk u realizua dhe duket se edhe përfaqësuesit e shqiptarëve, të cilët ishin pjesë einstitucioneve dhe të komisioneve të ndryshme për arsim nuk u angazhuan seriozisht.

Sidoqoftë, u desh që këtë problem ta nxisnin njohësit emirë të këtyre çështjeve,  siç janë historiani dhe veprimtari Dom Nikë Ukgjini apo studiuesi dhe shkrimtari Ndue Dedaj dhe eksperti në fushën e arsimitBardhok Pulaj, të cilët e aktualizuan çështjen e teksteve shkollore të Historisë duke i shtyrë  individët dhe institucionet përkatëse të Malit të Zi që të merren me 20 pëqindshin e lëndëve identitare. Nevoja e rishikimitdhe të mësuarit të historisë në shkollat shqipe në Malin e Zi është një domosdoshmëri, kur dihet se autorët e teksteve të historisë nuk janë të kombësisë shqiptaredhe përmbajtja e këtyre teksteve është problematike.

Me hartimin dhe ofrimin e librave të historisë me përmbajtje kombëtare do të ishte një përpjekje që të hapet një dritare më shumë në rrugën  për edukimin e brezave të rinj pa  diskriminim dhe krizë të identitetit. Kjo do të krijonte një mundësi më shumë në rishikimin e botëkuptimeve për të kaluarën historike dhe në ngritjen e një shoqërie demokratike ku diversiteti, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi janë vlera themelore.