“Po i bëj ballë presioneve të krimit të organizuar dhe do të vazhdoj betejën time – bashkë me kolegët – për një Mal të Zi të drejtë, të ndershëm dhe ndryshe. Dokumentet janë të sigurta. Dora e drejtësisë nuk do të ndalet. Vazhdojmë përpara – presim vendimet dhe proceset e radhës”, deklaroi Dritan Abazoviq.
Kryetari i Lëvizjes Qytetare URA, Dritan Abazoviq, ka bërë të ditur se Gjykata Themelore në Ulqin ka vendosur që padia e ish-zyrtarit të lartë të policisë, Zoran Lazoviq, kundër tij nuk ka bazë ligjore.
“Kam pranuar sapo vendimin e Gjykatës Themelore (të datës 5 prill 2025) në Ulqin, lidhur me padinë e Zoran Lazoviqit ndaj meje. Gjykata ka vendosur që padia është e pabazë. Po i bëj ballë presioneve të krimit të organizuar dhe do të vazhdoj betejën time – bashkë me kolegët – për një Mal të Zi të drejtë, të ndershëm dhe ndryshe. Dokumentet janë të sigurta. Dora e drejtësisë nuk do të ndalet. Vazhdojmë përpara – presim vendimet dhe proceset e radhës”, shkroi Abazoviq në Facebook.
Përpara gjykatës në Ulqin ndodhen edhe gjashtë padi të tjera, të cilat janë ngritur nga avokati Zoran Piperoviq kundër Abazoviqit, si përfaqësues ligjor i Zoran Lazoviqit, biznesmenit Ranko Uboviq, kompanisë së tij “Bemax”, dhe ish-bashkëpronarëve të saj, përfshirë Aleksandar Mijajloviqin.
Paditë ndaj Abazoviqit janë paraqitur me pretendimin se ai, gjatë kohës që ishte kryeministër, ka shprehur disa akuza të rënda ndaj tyre, përfshirë dhe pretendimin se ata kishin planifikuar eliminimin e tij fizik.