Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në komunën e Gucisë, ku një burrë me inicialet K. Ç. është ndaluar nga policia pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj djalit të tij 14-vjeçar, të cilit i ka thyer një dhëmb pas një përplasjeje verbale dhe fizike në shtëpinë familjare.
Sipas dokumenteve gjyqësore, ngjarja ka ndodhur në fshatin Vuthaj, ku K. Ç. jeton me bashkëshorten dhe katër fëmijët e tij të mitur. Ai ka deklaruar para prokurorit se dy djemtë e tij më të mëdhenj, 14 dhe 16 vjeç, dalin në qytet rreth orës 21:00 dhe kthehen në shtëpi mes orës 3 dhe 5 të mëngjesit, siç kishte ndodhur edhe më 1 prill.
Sipas tij, rreth orës 10:30 të mëngjesit, në dhomë hyri djali më i vogël, B., dhe kur e pyeti: “Pse ke ardhur në shtëpi në mëngjes?”, ai e kishte sharë. Më pas i kishte thënë se njerëzit po ankoheshin për të dhe për vëllain e tij, se po krijonin probleme dhe se nuk duhej të dilnin natën. B. kishte vazhduar ta shante, dhe për këtë arsye ai ishte nervozuar dhe e kishte goditur me shuplakë në fytyrë, përkatësisht në gojë. Si pasojë, një pjesë e dhëmbit të cilin më parë e kishte të thyer, i kishte rënë. Gjatë daljes nga dhoma, kishte vënë re që një thikë kuzhine ishte ngulur në mur afër tij, dhe dyshon se B. e kishte qëlluar me të, pasi nuk kishte persona të tjerë në shtëpi.
Nga ana tjetër, 14-vjeçari ka deklaruar se atë natë, rreth orës dy pas mesnate, ishte kthyer nga qyteti dhe se atëherë babai ishte zgjuar dhe kishte filluar të zemërohej për shkak të kthimit të vonë. Ai ka thënë se në mëngjes, ndërsa luante me vëllain më të vogël, babai ishte në dhomë duke qëndruar në shtrat, dhe në një moment iu afrua dhe e goditi me grusht të shtrënguar në gojë. Si pasojë, i ishte thyer dhëmbi i parë – i cili më parë kishte qenë i dëmtuar, dhe një pjesë e tij kishte rënë në tokë. Pas kësaj, ai e kishte sharë të atin dhe kishte marrë një thikë me gjatësi rreth 20 cm nga kuzhina, duke bërë një hap drejt tij. Babai, ndërkohë, kishte marrë një copë druri rreth 15 cm të gjatë nga ballkoni dhe e kishte goditur një herë në pjesën e pasme të kokës.
I mituri i ka thënë gjithashtu prokurorit se i vjen keq që e ka denoncuar babain dhe ka pranuar se kishte qenë i pasjellshëm ndaj tij. Ai ka shtuar se goditja kishte ndodhur gjatë një debati verbal, dhe se sjellja e tij mund ta ketë provokuar reagimin e babait, i cili më parë nuk kishte ushtruar kurrë dhunë ndaj tij apo vëllezërve të tij.
Këshilli i Gjykatës së Lartë në Bijelo Polje ka vlerësuar se gjyqtari i procedurës paraprake kishte vepruar drejt kur i caktoi paraburgimin K. Ç.-së, sidomos duke marrë parasysh se i pandehuri më parë ishte dënuar për neglizhencë dhe keqtrajtim të një të mituri.