
Ashtu siç edhe e prita, alarmi i dhënë përmes qarkoreve, mediave, intervistave të ndryshme mori një jehonë të jashtëzakonshme duke shkaktuar edhe turbulenca politike në Podgoricë.
Diaspora shqiptare përmes Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Malësia e Madhe” i bëri një kërkesë Departamentit Amerikan të Shtetit, kongresmenit Sander M. Levis dhe senatorit Carl M. Levin. Në këtë kërkesë kryetari i shoqatës, z. Gjergj Ivezaj shpjegon me fakte se veprimi i qeverisë shpie në censurë të mediave në gjuhën shqipe.
“Qeveria malazeze rishtas ka propozuar ose (1) të zvogëlojë numrin e faqeve të botimit të Kohës Javore nga 20 faqe në katër ose (2) të eliminojë tërësisht botimin e Kohës Javore. Ky propozim shpie vetëm në censurë. Sipas mendimit tonë, ky propozim ndër të tjera është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi dhe me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut”.
Z. Ivezaj duke e elaboruar çështjen e Kohës Javore shkruan se “ne mendojmë se ky propozim shkel nenet 49, 78 dhe 79 të Kushtetutës së Malit të Zi. Neni 49 thotë se ‘e drejta për të themeluar gazeta dhe medie të tjera publike, pa miratim,… është e garantuar’.
Nenet 78 dhe 79 në parim lidhen me të drejtat e minoriteteve. Shqiptarët janë të klasifikuar si minoritet në Kushtetutën e Malit të Zi. Neni 78 thotë që ‘çdonjëri është i obliguar të ruajë trashëgiminë natyrore dhe kulturore me interes të përgjithshëm. Shteti është mbrojtësi i trashëgimisë kombëtare dhe kulturore.’ Neni 79 thotë: minoritetet kanë ‘të drejtën për të ushtruar, mbrojtur, zhvilluar dhe shprehur publikisht veçantitë kombëtare, etnike, kulturore dhe fetare; … të drejtën për informim në gjuhën e tyre’”.
Përfaqësuesi i diasporës shqiptare, Gjergj Ivezaj vë në dukje se “shqiptarët në Mal të Zi janë me të drejtë të alarmuar dhe të shqetësuar me këtë propozim, i cili kufizon dhe dhunon të drejtat e shqiptarëve. Shqiptarët do të detyrohen të lexojnë gazeta të shkruara në gjuhën malazeze, një gjuhë që ata nuk e kuptojnë mirë. Ne besojmë se Qeveria malazeze po përdor këtë propozim si një mjet për të asimiluar shqiptarët dhe për t’i konvertuar në ‘malazezë’, që është në kundërshtim direkt me nenet e lartpërmendura të Kushtetutës.”
Më tej në këtë letër theksohet se “shqiptarët i besojnë Kohës Javore për lajmet objektive, opinionet dhe botimet periodike që ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë në Mal të Zi. Prandaj mungesa e një gazete shqiptare do të jetë vepër censure e drejtpërdrejtë ndaj shqiptarëve në të drejtën për t’u informuar në gjuhën e tyre.”
Në fund të letrës lavdërohet përkushtimi i Amerikës ndaj demokracisë dhe parimit ligjor. “Shqipëria dhe shqiptarët janë mbështetësit më të patundur dhe më të fortë të Amerikës në botë për shkak, në mes tjerash, të përkushtimit të SHBA-së për demokraci, parimin ligjor dhe mbështetjen e të drejtave të minoriteteve. Në fund, ne përzemërsisht kërkojmë që ju të hulumtoni dhe shtyni Malin e Zi t’i anulojë këto propozime dhe të sigurojë që shqiptarët në Mal të Zi t’i kenë të garantuara të drejtat themelore, përfshirë të drejtën për informim në gjuhën e tyre.”
Kjo letër përveç kongresistit, senatorit dhe Departamentit të Shtetit iu dërgua edhe Këshillit të Evropës (CoE), organizatës Amnesty International (USA), Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut (IHF) etj.
Letra e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane “Malësia e Madhe” u botua edhe në gazetën më të njohur ditore në Mal të Zi “Vijesti”, më 28 prill 2009, me mbititullin: Diaspora shqiptare i drejtohet institucioneve të SHBA-së, dhe me titullin: Apel për shpëtimin e Kohës Javore. Në artikull “Malësia e Madhe” cilësohet si shoqata e diasporës shqiptare më me ndikim në SHBA.
Konsullata malazeze në New York me demagogji përpiqet të përgënjeshtrojë çështjen e “Kohës Javore”
Kjo letër që u botua nëpër mediat e ndryshme malazeze dhe në mediat në gjuhën shqipe shkaktoi një befasi dhe huti në qarqet zyrtare dhe diplomatike të Podgoricës, të cilët u munduan me shpejtësi dhe në formën më demagogjike të përgënjeshtrojnë diasporën shqiptare në SHBA ose në mënyrë të tërthortë mundohen t’i paraqesin arritjet e shqiptarëve në fushën e informimit shqip në Malin e Zi.
Pasi letra e diasporës lidhur me çështjen e gazetës “Koha Javore” mori jehonë dhe u botua edhe ne gazetën “Illyria” në gjuhën angleze dhe shqipe (nr. 1 844, 1-4 maj 2009), e cila botohet në SHBA, reagoi Konsulli i Përgjithshëm i Malit të Zi në New York, Branko Miliq, me një përgënjeshtrim dërguar politikanëve të njohur amerikanë.
Ai iu drejtua kongresmenit Levin dhe senatorit Levin për akuzat, siç thotë ai, të pathemelta dhe të pavërtetuara lidhur me çështjen e “Kohës Javore”.
“Po ju shkruaj lidhur me akuzat e kohëve të fundit nga disa përfaqësues individualë të Diasporës Shqiptare në SHBA lidhur me gjoja vendimin e Qeverisë së Malit të Zi për të reduktuar apo ndaluar botimin e ‘Kohës Javore’, periodikes në gjuhën shqipe që financohet pjesërisht nga buxheti i shtetit. Lidhur me këtë çështje dua t’ju informoj se këto akuza janë thjesht të pathemelta dhe të pavërtetuara”, thuhet në reagimin e Konsullatës së Malit të Zi.
Miliq, ashtu si edhe zyrtarët malazezë, i arsyeton masat financiare si pasojë e krizës globale.
“Në shkurt të këtij viti, qeveria adoptoi një numër masash që synojnë të ndalonin dhe zbusnin pasojat e krizës globale ekonomike dhe financiare, të cilat u bënin thirrje të gjitha kompanive që financohen pjesërisht apo tërësisht nga buxheti i shtetit që t’i racionalizonin shpenzimet.
Në vijë me këtë vendim të Qeverisë, në fillim të prillit Menaxhmenti i Kompanisë me stoqe të përbashkëta ‘Pobjeda’ ka shqyrtuar mundësinë e reduktimit të përkohshëm të botimeve të veçanta, përfshirë edhe ‘Kohën Javore’”.
Ky propozim, sipas konsullatës malazeze “ka shkaktuar spekulime të ndryshme të medias dhe publikut, ndërmjet të cilave edhe nga ‘Malësia e Madhe’, e cila në mënyrë të hapur e kritikoi rreptë Qeverinë si diskriminuese ndaj popullatës shqiptare në Malin e Zi.”
“Ky propozim është pjesë e politikës së brendshme të Menaxhmentit të ‘Pobjedës’, i cili tashmë është anuluar dhe nuk ka qenë asnjëherë objekt rekomandimi apo konsiderimi nga Qeveria e Malit të Zi.
Mali i Zi është duke vënë në jetë ligjet dhe rregulloret për median në përputhje me standardet ndërkombëtare të lirive dhe të drejtave të njeriut. Këto ligje përmbajnë detyrime të qarta lidhur me të drejtën për informim të grupeve etnike dhe minoritare, në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës që janë skicuar për të nxitur kulturën, tolerancën dhe pluralizmin. Ato gjithashtu garantojnë përgjegjësinë e Qeverisë për të siguruar burime të pjesshme financiare në mënyrë që të çojë përpara të drejtat e garantuara me ligj të qytetarëve për informim pa u diskriminuar dhe të bazuar në përmbajte programore, të cilat janë thelbësore për zhvillimin e shkencës, kulturës dhe informacionit në dispozicion të pakicave, përfshirë edhe përmbajtjet programore në gjuhën shqipe”, thuhet në letrën e Miliqit dërguar politikanëve amerikanë.
Për t’u mburrur me arritjet e shqiptarëve, ai shpalos “zemërgjerësinë” e Qeverisë malazeze në financimin e mediave në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
“Burimet e nevojshme financiare për veprimtaritë e lartpërmendura janë autorizuar nëpërmjet buxhetit të qeverisë, që është bërë edhe gjatë miratimit të buxhetit për vitin 2009. Në këtë kontekst, redaksia në gjuhën shqipe në Televizionin e Malit të Zi në mënyrë të rregullt transmeton programe që janë krijuar posaçërisht për popullatën shqiptare, duke përfshirë edhe ‘Lajmet’, dokumentarët, emisionin zbavitës ‘Mozaiku’ si dhe segmente të tjera të ndryshme informacioni dhe dëfrimi. Më tej, Qeveria shumë herë ka bashkëfinancuar projekte të TV Teutës nga Ulqini dhe TV Boin nga Tuzi, si dhe siguron financim të rregullt për botimin e ‘Kohës Javore’ në shtyp dhe edicionin e saj në internet”.
Në fund të letrës Miliq moralizon me lirinë e informimit të pakicave kombëtare dhe me të drejtat e këtyre pakicave në Malin e Zi.
“Roli i medies në zhvillimin e tolerancës dhe kultivimin e mirëkuptimit ndërmjet komuniteteve të ndryshme etnike është jetësore. Prandaj, Qeveria e Malit të Zi është si rrallëkund e përkushtuar për të vënë në jetë masat që garantojnë lirinë e informimit për pakicat kombëtare, në përputhje me standardet ndërkombëtare për liritë themelore dhe të drejtat e njeriut.
Mali i Zi ka një përvojë të gjerë në nxitjen e dialogut ndërmjet komuniteteve dhe kulturave të ndryshme dhe ka dëshmuar aftësi dhe devocion të jashtëzakonshëm për të mbrojtur dhe nxitur të drejtat e njeriut qëkur rifitoi pavarësinë e tij. Ne jemi skajshmërisht të përkushtuar për t’u siguruar pakicave tona të drejtat e tyre në media, bazuar në lirinë e shprehjes, të opinionit, të hulumtimit, të mbledhjes, të përhapjes, të marrjes dhe të transmetimit të informacionit”, përfundon letra e Konsullit të Përgjithshëm të Malit të Zi në New York, Branko Miliq. (vijon)
Info Shqip