Ulqin: Pritet rënie e të hyrave komunale – zvogëlohet fondi për investime

Kryetarja e Kuvendit Komunal të Ulqinit, Ivana Popoviq, ka thirrur për sot seancën e parë të rregullt të sesionit të dytë të punës, ku ndër pikat kryesore është propozimi për ndryshime dhe plotësime të Buxhetit të Komunës së Ulqinit për vitin 2025.

Sipas dokumentit të paraqitur, të ardhurat e planifikuara me ribalancim kapin shumën 18.714.020,46 euro, që është 1.961.979,54 euro më pak krahasuar me buxhetin fillestar prej 20.676.000,00 euro.

Rënie e madhe e të hyrave nga taksat komunale

Në shpjegimin e propozimit thuhet se të ardhurat nga taksat dhe tarifat ulen nga 6,145 milionë euro në 4,176 milionë euro.

Rënia më e madhe vjen nga taksa për rregullimin dhe ndërtimin e tokës ndërtimore, e cila ulet nga 5,13 milionë euro në 3,29 milionë euro.

Sipas shpjegimit zyrtar:

Meqenëse vendimi i ri për komunalitë, i cili parashikonte rritjen e kësaj takse, ende nuk ka marrë miratim nga ministria përkatëse, llogaritja vazhdon të bëhet sipas tarifave më të ulëta të marrë nga viti 2021, gjë që ka sjellë më pak të ardhura për Komunën.

Ndryshime edhe në burimet e tjera

  • Fondi i bartur nga viti i kaluar rritet nga 1,68 milionë në 1,92 milionë euro.
  • Donacionet zvogëlohen për 430 mijë euro.
  • Transferet rriten për 330 mijë euro.

Në anën e shpenzimeve:

  • Pagat bruto rriten nga 3.441.750,00 në 3.893.630,00 euro (rreth 450 mijë euro më shumë).
  • Shpenzimet për kompensime personale rriten nga 244.250,00 në 279.500,00 euro.
  • Investimet kapitale ulen ndjeshëm nga 6,93 milionë në 4,11 milionë euro, që nënkupton më pak projekte infrastrukturore deri në fund të vitit.

Të tjera pika të rendit të ditës

Në seancë do të shqyrtohen edhe këto propozime:

  • Vendimi për miratimin e çmimit të ujit dhe shërbimeve të kanalizimit nga Ndërmarrja Publike “Ujësjellës dhe Kanalizim” Ulqin për vitin 2026.
  • Ndryshimet në vendimin për funksionimin e “Parking Servis” Ulqin.
  • Ndryshimet për taksa komunale dhe taksa për sanimin urban.
  • Vendimi për ndarjen e fondeve për botime, aktivitete muzikore e skenike, art pamor dhe teatër.
  • Plani Lokal për Inkluzionin e komuniteteve rom dhe egjiptian 2025–2028.
  • Strategjia e zhvillimit të sportit 2025–2028.
  • Raporti vjetor i Organizatës Turistike Ulqin për vitin 2024.
  • Vendimi për miratimin e zgjedhjes së drejtorit të ndërmarrjes për ruajtjen e biodiversitetit, gjuetinë dhe peshkimin në territorin e Ulqinit.