Ulqin: Uji ka depërtuar në trafostacion, mundësi për ndërprerje të furnizimit me energji elektrike

Reshjet e dendura që nga orët e para të mëngjesit kanë përfshirë zonën e Ulqinit dhe kanë shkaktuar depërtim të ujit në trafostacionin TS 35/10 kV “Qyteti i Ulqinit”, njofton Sistemi Elektrodistributiv i Malit të Zi (CEDIS).

Sipas njoftimit, për të garantuar sigurinë e punonjësve dhe për të mbrojtur pajisjet brenda trafostacionit, në rast se niveli i ujit vazhdon të rritet ose reshjet intensifikohen, mund të vijë deri te ndërprerja e furnizimit me rrymë për rreth 7.450 konsumatorë që furnizohen nga ky rrjet.

“Nëse situata përkeqësohet, mund të jemi të detyruar të çaktivizojmë kabllon 35 kV nga trafostacioni 110/35 kV ‘Kodrat e Ulqinit’,” thuhet në njoftimin e CEDIS-it të publikuar në Facebook.

CEDIS u bën thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe ndjekje të informacioneve të mëtejshme zyrtare.