Fejziq: A po e ndëshkon Beogradi Turqinë përmes Malit të Zi?

Reisi i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat Fejziq, ka ngritur mbrëmë pyetjen nëse Beogradi po e ndëshkon Turqinë përmes Malit të Zi.

“Nuk kanë kaluar as 20 ditë. A po e ndëshkon Beogradi Turqinë përmes CG?”, ka shkruar Fejziq në rrjetin X, duke publikuar një fotografi të një artikulli me titull: “Vuçiç sulmoi Turqinë: E dimë çfarë po planifikoni…”

IMG_6207-815x1024 Fejziq: A po e ndëshkon Beogradi Turqinë përmes Malit të Zi?

Ky tekst është publikuar më 8 tetor në portalin SEEbiz.

Më 8 tetor, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se është “i tmerruar” nga fakti se Turqia, sipas kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, ka dorëzuar në aeroportin e Prishtinës qindra dronë luftarakë të tipit “kamikaz” për Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Vuçiç kishte shkruar në platformën X se veprimi i Turqisë paraqet “shkelje të rëndë të Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244”, duke akuzuar Ankaranë se po kontribuon në destabilizimin e rajonit.

“Sot është plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe se ende ëndërron rikthimin e Perandorisë Osmane,” ka deklaruar ai, duke shtuar se “Serbia është e vogël, por i kupton këto qëllime”.

Konteksti i ngjarjeve në Podgoricë

Ndërkohë, situatë e tensionuar u krijua mbrëmë në lagjen Zabjello të Podgoricës, pas rrahjes dhe goditjes me thikë të një 25-vjeçari nga Podgorica.

Policia ndërmori kontrolle dhe prani të shtuar në terren, ndërsa një numër banorësh të revoltuar u mblodhën në rrugë, duke brohoritur parulla fyese ndaj turqve.

Sipas raportimit të televizionit “Vijesti”, tre shtetas turq u detyruan të fshiheshin dhe të bllokohen brenda një kazinoje, pasi një grup banorësh, siç u raportua, tentoi të përplasej fizikisht me ta.