Përfaqësuesit politikë shqiptarë dhe heshtja që flet

Ali Salaj

Veprimi dhe komunikimi politik i përfaqësuesve të partive shqiptare në Malin e Zi, në shikim të parë duket parimor dhe besnik me opinionin dhe me  zgjedhësit e vet, por në fakt është tepër i rrejshëm dhe abstrakt dhe pa ndonjë interes kombëtar dhe jetik për të ardhmën. Publikut  i ofrohet një komunikim demagogjik, ku në bazë ka patriotizmin si një karrem që i plasohet zgjedhësve për interesa partiake. Në anën tjetër, veprimi i tyre është tërësisht i ndryshëm dhe larg ofertës së tyre programore, ku zotimet e tyre publike shpërfillen për interesa të ngushta personale dhe politike.

E ngjajshme është edhe heshtja e zyrtarëve vendorë, të cilët nga një zhurmë e madhe kakofonike me një pjesë të shoqërisë civile dhe me pronarët e plazheve, papritur ranë në një heshtje totale. Mirëpo, kjo është një heshtje që flet shumë për qasjen tonë në politikë. Kjo situatë përbën shqetësim dhe alarm, sepse heshtja në politikë do të thotë pajtim. Ky është një pajtim kundër parimeve të interesit publik dhe në favor vetëm të lojës politike të përfaqësueve shqiptarë.

Mendoj se përfaqësuesit politikë shqiptarë, duke pranuar funksione të caktuara politike dhe duke rënë dakord të marrë pjesë në formulimin e politikës së asaj pjese të aparatit shtetëror në Malin e Zi, domosdoshmërisht marrin përgjegjësi për të. Në rastin konkret, kur nuk respektohet sundimi i ligjit, integriteti mjedisor dhe interesi kombëtar si dhe kërkesat e vazhdueshme të qytetarëve është e kuptueshme që përfaqësuesit politikë të shqiptarëve është dashur të largohen në mënyrë demonstrative nga postet qeveritare.

Është e njohur që disa vende perëndimore përmenden si një shembull i një kulture që kultivon  kultin e përgjegjësisë individuale. Zyrtarët dhe  ministrat e atyre vendeve japin dorëheqje pas çdo dështimi të përceptuar. Ndërkaq, në hapësirën tonë politike nuk ofrohet dorëheqja edhe për ngjarje shumë më dramatike, gjë që tregon se jemi larg një mbindjeshmërie të tillë morale. Dorëheqja si akt moral është e panjohur dhe  nuk ekziston tek shqiptarët në Mal të Zi, ose më saktë nuk përdoret. Pavarësisht se për çfarë akuzohen ose dyshohen, mungesa e përgjegjësisë është bërë diçka normale dhe në disa raste mburren me këtë veti.

Përndryshe është vështirë të kuptohet përfshirja e disa partive politike shqiptare në Qeveri, të cilët përveç që krijojnë një imazh të rrejshëm para ndërkombëtarëve, nuk po shohim vullnetin e tyre në mbrojtjen e pakicës shqiptare në Malin e Zi.