Mali i Zi po shënon përparim të kufizuar në procesin e integrimit evropian, duke pasur parasysh që deri në fund të këtij muaji pritet të mbyllet vetëm një kapitull negociues. Kështu vlerëson Ines Mrdoviq nga organizata “Aksioni për Drejtësi Sociale”.
Sipas saj, mbyllja e kapitullit 5 që lidhet me Prokurimet Publike, e paralajmëruar për fundin e qershorit, përbën një hap të vogël përpara, por mbetet shumë punë për të bërë. “Nëse mbyllet ky një kapitull, atëherë kjo mund të konsiderohet si një përparim i kufizuar. Megjithatë, duket se fundi i vitit do të jetë një lloj ‘provimi riparues’ për Qeverinë e Malit të Zi”, thekson Mrdoviq.
Ajo thekson rëndësinë e këtij procesi për shkak të ndihmës financiare që vendi merr nga Bashkimi Evropian. “Të gjitha transhet e ardhshme të mbështetjes financiare nga Brukseli janë të kushtëzuara me përmbushjen e kritereve që lidhen me kapitujt negociues dhe detyrimet e tjera që kemi marrë përsipër”, shton ajo.
Ndërkohë, analisti Xhevdet Pepiq vlerëson se Mali i Zi është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që përmbush të paktën kushtet minimale për anëtarësim në BE. Megjithatë, ai nënvizon se vendi ende përballet me sfida serioze në procesin e reformave. “Në praktikë, nuk është bërë pothuajse asgjë. Më saktë, punohet pjesërisht dhe vetëm për çështje që u përshtaten partive politike, sidomos atyre në pushtet”, thotë Pepiq.
Në fund të qershorit pritet të mbahet në Bruksel konferenca ndërqeveritare ku do të mbyllet kapitulli negociues për prokurimet publike, ndërsa qeveria aktuale ka shprehur pritshmërinë për mbylljen e edhe gjashtë kapitujve të tjerë deri në fund të vitit.
Nga Ministria e Çështjeve Evropiane është njoftuar se nesër do të mbahet një konferencë për shtyp, ku do të diskutohet mbi kapitujt negociues dhe mbi dokumentin e Komisionit Evropian të titulluar “Non Paper”. Në këtë konferencë pritet të flasë edhe kryenegociatori Predrag Zenoviq.