Deputeti kroat në Parlamentin Evropian dhe raportuesi për Serbinë, Tonino Picula, ka deklaruar se Mali i Zi ka qenë për vite me radhë një nga vendet më të përkushtuara në procesin e integrimit evropian, me synimin për t’u bërë sa më shpejt anëtare e Bashkimit Evropian.
Sipas Piculës, megjithëse vendi ka përparuar në hapjen e kapitujve të negociatave, problemet e brendshme kanë qenë shpesh më të vështira se vetë negociatat me BE-në.
Në një reagim në rrjetin social X (ish-Twitter), ai theksoi se Mali i Zi meriton të jetë anëtarja e ardhshme e BE-së, por për këtë duhet të mbajë një qëndrim të qartë ndaj ndikimeve që shkojnë kundër këtij drejtimi.
“Mali i Zi duhet të refuzojë çdo lidhje me konceptin e ashtuquajtur ‘bota serbe’, sepse ai është në kundërshtim të plotë me vlerat dhe parimet e integrimit evropian,” shkroi Picula.
Ai paralajmëroi se projekti politik i “botës serbe” nuk është i përputhshëm me vizionin evropian të rajonit dhe se vetëm përmes qëndrueshmërisë dhe angazhimit të qartë për reformat, Mali i Zi mund të sigurojë vendin e tij në Bashkimin Evropian.