Grupi i deputetëve të Partisë Demokratike të Socialistëve (PDS) ka bërë të ditur se është drejt përfundimit të hartimit të një projektligji për ndalimin e organizatave fashiste, naziste dhe ekstremisht nacionaliste, si dhe simboleve të tyre.
Në një njoftim zyrtar, thuhet se gjatë javës së ardhshme do të paraqitet drafti i ligjit në Kuvend, ku do të hapet edhe debat publik, duke ftuar të gjithë aktorët relevantë të shoqërisë për të dhënë sugjerimet dhe komentet e tyre.
“Qëllimi i këtij ligji është të vihet një fund përpjekjeve gjithnjë e më të shpeshta për falsifikimin e trashëgimisë antifashiste. Ky ligj synon të parandalojë nxitjen e urrejtjes dhe të mosdurimit ndërmjet qytetarëve, e jo të krijojë përçarje,” thuhet në deklaratën e grupit parlamentar të PDS-së.
Ata kanë shprehur mirënjohje për kontributin e dhënë deri më tani nga profesorët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Malit të Zi, Shoqata e Juristëve, historianët, organizatat joqeveritare për të drejtat e njeriut dhe edukimin qytetar, Organizata e Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare (SUBNOR), si dhe të gjithë ata që do të marrin pjesë në debatin publik.
Në përfundim të deklaratës, theksohet se nëse Mali i Zi dëshiron të zërë vendin që i takon në mesin e shteteve të civilizuara të Bashkimit Evropian, atëherë duhet të zbatojë me përpikëri ligje që ndalojnë falsifikimin e fakteve historike, mohimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, lavdërimin e kriminelëve të dënuar të luftës dhe shpërfilljen e vlerave të antifashizmit.