Kryeministri Spajiq: Në Mal të Zi nuk është jetuar kurrë më mirë

Në Mal të Zi nuk është jetuar kurrë më mirë, deklaroi Kryeministri Milojko Spajiq, duke theksuar se ka një vazhdimësi të rritjes së standardit të jetesës për qytetarët.

“Ka komente pozitive dhe negative, por të gjithë mund të biem dakord se në Mal të Zi nuk është jetuar kurrë më mirë. E shohim edhe përmes udhëtimeve – qytetarët tanë janë kudo në Evropë dhe botë. Dhe kjo nuk është fundi – standardi do të vazhdojë të përmirësohet”, u shpreh Spajiq gjatë hapjes solemne të aksit rrugor ndërmjet qytetit të Cetinës dhe fshatit Çevë, në drejtimin Cetinë–Çevë–Nikshiq.

Ai theksoi se politika e Qeverisë që drejton është ndërtuar mbi barazinë sociale dhe krijimin e mundësive për punësim më të mirë, të ardhura më të larta dhe pensione më dinjitoze.

“Pagat mesatare kanë kaluar shifrën prej një mijë eurosh, pagat minimale janë midis 600 dhe 800 euro, ndërsa pensionet minimale janë 450 euro. Këto pensione janë sërish rritur pas përputhjes me inflacionin”, theksoi ai.

I pyetur për përgatitjet e sezonit turistik, në kontekstin e punimeve në infrastrukturë, bllokimeve në rrugë dhe plazheve të papërgatitura, Spajiq tha se shpesh u drejton kritika kompanive ndërtuese, pasi punojnë më shumë gjatë muajve korrik dhe gusht sesa gjatë pjesës tjetër të vitit.

Në lidhje me bllokimet e rrugëve, Spajiq theksoi se secili ka të drejtë të shprehë mendimin e tij.

“E kuptojmë plotësisht shqetësimin e qytetarëve, por është e rëndësishme që të gjithë të kenë ndjeshmëri për atë që është burimi kryesor i të ardhurave në vend – turizmi – dhe që veprimet e tyre të mos rrezikojnë të ardhmen e përbashkët”, tha ai.

I pyetur për investimet e para nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Spajiq tha se proceset janë ngadalësuar dhe se në Mal të Zi çdo iniciativë përpiqet të komprometohet dhe të bllokohet.

“Fatkeqësisht, po shohim një ritëm të ngadaltë të realizimit. Jam shumë i pakënaqur për këtë, por për momentin jemi aty ku jemi. Çdo ditë po punojmë për ta përmirësuar shtetin. Në të ardhmen, procedurat dhe proceset do të jenë më të shpejta dhe më të thjeshta”, shtoi ai.

Në lidhje me tenderin për dhënien me koncesion të aeroporteve të Podgoricës dhe Tivarit, Spajiq bëri të ditur se u ka kërkuar të gjithë anëtarëve të Komisionit të Tenderit që procesi të zhvillohet në mënyrë transparente dhe profesionale, ashtu siç rekomandohet nga Banka Botërore dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare.

“Besoj se deri tani kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me Bankën Botërore dhe do të dëshiroja që ai të vazhdojë. Së shpejti do të marrim raportin përfundimtar nga Komisioni i Tenderit, së bashku me mendimin e ekspertëve ndërkombëtarë”, përfundoi Spajiq.