re të rinj nga Novi Pazari, Serbia – E.C. (21), T.M. (18) dhe A.K. (20) – janë arrestuar mëngjesin e sotëm në Shtojin e Poshtëm, Ulqin, nën dyshimin se kanë tentuar të vrasin me thikë dy shtetas të Azerbajxhanit.
Sipas Policisë së Malit të Zi, ngjarja ndodhi mbrëmjen e kaluar në një banesë pranë Plazhit të Madh, ku A.M. (34) dhe Dž.A. (39) u plagosën rëndë me thikë. Të dy ndodhen aktualisht nën kujdes mjekësor.
Autoritetet malazeze njoftojnë se pas një aksioni të koordinuar gjatë gjithë natës nga njësitë e sigurisë në Jug, Tivar dhe Ulqin, të dyshuarit u identifikuan përmes kamerave të sigurisë dhe u kapën rreth orës 05:45 në një objekt banimi në Shtojin e Poshtëm.
Policia ka siguruar prova materiale që i lidhin të rinjtë me tentativën për vrasje, ku dyshohet se kanë vepruar si bashkëautorë.
Të arrestuarit do të procedohen në Prokurorinë e Lartë në Podgoricë brenda afateve ligjore dhe ndaj tyre është ngritur kallëzim penal për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.
Policia ka shprehur mirënjohje për qytetarët e Ulqinit, të cilët kanë bashkëpunuar duke ofruar pajisje teknike dhe informacione që ndihmuan në lokalizimin e shpejtë të autorëve të dyshuar.