OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Shqiptarët në Malin e Zi  pa një kanal të veçantë në Televizionin publik

Me dispozita ligjore Mali i Zi përcakton të drejtën e informimit në gjuhën e pakicave, ashtu siç përcaktohet edhe detyrimi i shtetit ndaj informimit publik në gjuhën e tyre. Edhe pse në hapësirën tonë ligjore dhe politike flitet për një garantim dhe respektim të identitetit të popujve pakicë në informim, megjithatë ende sot nuk kemi programacion 24 orë në gjuhën shqipe në kuadër të Televizionit publik të Malit të Zi.

Partitë politike shqiptare gjatë fushatave zgjedhore me eufori  kanë premtuar formimin e kanalit të veçantë televiziv në gjuhën shqipe, por pas etheve të zgjedhjeve çdo gjë iu la harresës dhe heshtjes edhe atherë kur u bënë shkelje të dukshme të së drejtës së informimit të shqiptarëve në Malin e Zi.

Gjuha shqipe në Televizionin e Malit të Zi, ndërkohë nisi të ndrydhej. Reduktohen emisionet, largohen punëtorët me kontratë, bashkëpunëtorët dhe korrespondentët. Në anën tjetër, me vite të tëra nuk ka pasur udhëheqës të programacionit nga komuniteti shqiptar, por në vazhdimësi emëroheshin kuadro të komunitetit shumicë që nuk e njohin gjuhën shqipe, ashtu siç ende sot nuk ka përfaqësues nga komuniteti shqiptar  në Bordin e Drejtorëve apo në këshillat tjera përkatëse.

Veprimet e viteve të fundit të menaxhmentit të Televizionit publik tregojnë për një paqartësi mediale kundrejtë emisioneve në gjuhën shqipe duke ndjekur një politikë dytësore ndaj kësaj pakice që e karakterizon një gjuhë e veçantë, tërësisht e ndryshme nga gjuhët sllave. Kjo dukuri me informimin shqip vazhdoj edhe në kohën e përbytjeve të mëdha politike në Mal të Zi, ku pasuan ndryshimet në Qeveri dhe në institucionet e ndryshme, duke përfshirë këtu edhe Televizionin publik. Në këto ndryshime dukshëm ndikuan edhe aktorët politikë dhe jopolitikë shqiptarë.Disa përfaqësues politikë nga partitë  qytetare dhe disa organizata joqeveritare nga Ulqini e mbështetën pa rezervë Boris Raoniqin në krye të Radio Televizionit publik të Malit të Zi. Efektet e zgjedhjes së një personi, që tërë kohën punoj në kuadër të shoqërisë civile, u vrejtën menjëherë. Ai jo që nuk ndihmoj programacionin në gjuhën shqipe, as formimin e kanalit të veçantë, por bëri përpjekje të aneksojë edhe të vetmen medie publike të shqiptarëve në Malin e Zi, siç është Radio Ulqini dhe ta shndërroj atë në studio të RTMZ-së.

Televizioni publik i Malit të Zi vazhdon ti ngjajë një prodhimi me gabime. Kjo media po jeton defektet aktuale të rendit shtetëror, kushtetues dhe ligjor të Malit të Zi, duke nxitur nacionalizmin proserb dhe mosmarrëveshjet ndëretnike. Në këtë kuadër është vështirë të kuptohet përfshirja e partive politike shqiptare në Qeveri, të cilët përveç që krijojnë një imazh të rrejshëm para ndërkombëtarëve, nuk po shohim vullnetin e tyre në mbrojtjen e pakicës shqiptare në Malin e Zi.

Është e pakuptueshme që ende sot në Televizionin publik mos të ketë një kanal të veçantë, por emisionet në gjuhën shqipe ndërthuren në kanalin ekzistues ku kjo simbiozë padyshim pengon edhe shikueshmërinë.

Një platformë me transmetim 24 orësh në kanalin e veçantë duhet sa më parë ti ofrohet komunitetit shqiptar në Malin e Zi. Të krijohen vende për punësime të reja, me staf dhe redaksi  të zgjeruar, me studio bashkëkohore dhe me një skemë programore pa stereotipe dhe ndikime nga redaksitë sllavofolëse. Kanali i tillë do të ishte në përputhje me normat ndërkombëtare dhe me synimin për barazi dhe integrim të shqiptarëve në jetën publike dhe institucionale. Kjo situatë kërkon veprim të menjëhershëm nga institucionet përkatëse dhe nga përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Malin e Zi.Përdryshe ruajtja e situatës së status-quo-së në fushën e informimit në gjuhën shqipe rrezikon qenien kombëtare, pasi është e ditur se komuniteti pa medie është i predestinuar të humbasë identitetin kombëtar, gjuhësor dhe kukturor.