Në një ceremoni solemne, të shoqëruar nga pjesëmarrja e personaliteteve të shumta vendore dhe ndërkombëtare, në Ulqin u përurua zyrtarisht Qendra e Shkencës dhe Inovacionit – një projekt ambicioz që synon të krijojë një bazë të fortë për edukim modern, teknologji dhe zhvillim kreativ të gjeneratave të reja.

Kjo qendër, unike në llojin e saj në rajonin e Ballkanit, u realizua falë një bashkëpunimi të ngushtë mes Komunës së Ulqinit, Fondacionit “XL Labs”, Fondacionit T3 të Turqisë, Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), si dhe mbështetjes së përzemërt të komunitetit lokal dhe partnerëve nga më shumë vende.
Në mesin e të pranishmëve në këtë ngjarje ishin: Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Prof. Dr. Angjella Jakshiq Stojanoviq; Kryetari i Komunës, Genci Nimanbegu; Ambasadori i Republikës së Turqisë, Sh.T. z. Barish Kalkavan; Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë, z. Arben Doçi; drejtoresha ekzekutive e Fondacionit T3, znj. Elvan Kuzucu Hidr; dhe drejtori ndërkombëtar i TIKA-s, z. Ugur Tanyeli.
Në fjalën e tij, themeluesi i Fondacionit “XL Labs”, Prof. Dr. Ilir Çapuni, u shpreh:
“Kjo ditë është më shumë se një festë – është një dëshmi e bashkëpunimit, mikpritjes dhe mirënjohjes që Ulqini ka kultivuar ndër vite. Kemi krijuar së bashku një hapësirë të veçantë, një gur themeli për të ardhmen e dijes në Ballkan.”
Ai e përshkroi Qendrën si një “laborator ëndrrash”, ku të rinjtë do të mund të eksplorojnë fusha si robotika, teknologjitë 3D, astronomia, shkencat natyrore dhe artet krijuese, me synimin për t’i pajisur ata me njohuritë dhe aftësitë që i kërkon epoka moderne.
Prof. Çapuni gjithashtu shprehu mirënjohjen për drejtorin e qendrës, Prof. Lulzim Hoxha, si dhe për instruktorët që do të udhëheqin programet edukative: Alfred Marnikoviq, Edona Lika, Elda Kurti, Nurudin Tivari, Dijar Mujali, Sulejman Hoxha dhe Vahida Hasanaga Nimanbegu.
Në fjalën e tij, Kryetari i Komunës, Genci Nimanbegu, nënvizoi rëndësinë e projektit për zhvillimin arsimor të qytetit:
“Kjo qendër është një investim për të ardhmen – për fëmijët dhe të rinjtë që do të jenë udhëheqësit e nesërm të Ulqinit, Malit të Zi dhe më gjerë.”
Ceremonia përfshiu edhe një përshëndetje përmes videos nga z. Selçuk Bayraktar, president i Bordit të Fondacionit T3, i cili e vlerësoi iniciativën si një model bashkëpunimi rajonal dhe shembull për projekte të tjera në Ballkan.
Pas fjalimeve zyrtare, të ftuarit patën mundësinë të vizitojnë ambientet moderne të qendrës, të ndjekin demonstrime teknologjike dhe të përfshihen në aktivitete interaktive me fëmijët – duke shënuar kështu nisjen zyrtare të një programi edukativ inovativ.
Qendra e Shkencës dhe Inovacionit në Ulqin tashmë përfaqëson jo vetëm një hapësirë fizike, por një vizion të përbashkët për një të ardhme ku dija, teknologjia dhe bashkëpunimi ndërkombëtar ndërthuren për t’i përgatitur brezat e rinj për sfidat globale.