Millatoviq: Diplomacia duhet të jetë mjeti kryesor për zgjidhjen e konflikteve

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, deklaroi se diplomacia nuk duhet të mbetet alternativa e fundit për zgjidhjen e konflikteve, që përdoret vetëm pas ndërgjegjësimit për absurditetin e luftës, por të jetë instrumenti parësor për tejkalimin e dallimeve – veçanërisht në situata ku ato duken të pakapërcyeshme.

Në fjalimin e tij gjatë seancës plenare të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Dejton, Millatoviq theksoi rëndësinë e mësimeve të nxjerra nga e kaluara tragjike e rajonit dhe ndikimin afatgjatë të Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit.

“Nëse paqja në Bosnjë dhe Hercegovinë ishte e mundur në vitin 1995, atëherë ajo ishte e mundur edhe në vitin 1992, nëse udhëheqësit e asaj kohe do të kishin treguar mençuri, vizion dhe përgjegjësi,” tha Millatoviq, duke rikujtuar konfliktin shkatërrues në Bosnjë dhe rëndësinë e veprimit politik të matur.

Ai shprehu bindjen se, të udhëhequr nga këto mësime, liderët aktualë të Ballkanit po i qasen çështjeve të hapura me përgjegjësi demokratike dhe përkushtim ndaj paqes.

“Duhet të riafirmojmë rëndësinë e përhershme të Marrëveshjes së Dejtonit – jo vetëm si themel për paqen në Bosnjë dhe Hercegovinë, por edhe si pikë kthese për stabilitetin më të gjerë të rajonit,” tha ai.

Presidenti malazez paralajmëroi se sfidat e reja globale po kërcënojnë rendin ndërkombëtar. Në këtë kontekst, ai e cilësoi agresionin rus ndaj Ukrainës si një thirrje për vigjilencë dhe përgjegjësi të përbashkët.

“Vendosja e një paqeje të qëndrueshme dhe të drejtë në Ukrainë nuk është vetëm një nevojë strategjike, por edhe një detyrim moral. Mbështes fuqimisht çdo përpjekje për arritjen e kësaj paqeje,” deklaroi Millatoviq.

Ai nënvizoi rolin kyç të NATO-s si garantues i paqes, sigurisë dhe stabilitetit për çdo anëtar të saj, duke e quajtur Aleancën një strukturë mbrojtëse e vlerave demokratike.

“Në kohë transformimesh të thella në arkitekturën globale të sigurisë, është jetike që të ruajmë unitetin brenda Aleancës, të rrisim efikasitetin operativ dhe të jemi të përgatitur për sfidat gjithnjë e më komplekse,” tha ai.

Millatoviq vlerësoi anëtarësimin e Malit të Zi në NATO si një vendim strategjik, që ka kontribuar në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Ai theksoi përkushtimin e vendit për të forcuar kapacitetet mbrojtëse, përmes investimeve dhe modernizimit të ushtrisë.

“Jemi plotësisht të vetëdijshëm se përmes këtyre përpjekjeve jo vetëm që rrisim besueshmërinë e anëtarësimit në NATO, por investojmë drejtpërdrejt në sigurinë dhe të ardhmen tonë,” u shpreh presidenti.

Në përmbyllje, Millatoviq theksoi se Ballkani Perëndimor ndodhet në një udhëkryq historik dhe ka një mundësi unike për t’iu bashkuar klubit të demokracive progresive të Bashkimit Evropian.

“Mali i Zi synon të jetë një shembull për rajonin – një fqinj i mirë që hap rrugën për të tjerët. Vetëm përmes unitetit mund të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur, më të qëndrueshme dhe më paqësore për të gjithë,” përfundoi ai.