Dy dënime për zëvendëskryeministrin Nik Gjeloshaj brenda një muaji – i dënuar për mobing dhe shpifje

Brenda vetëm një muaji, Gjykata Themelore në Podgoricë ka shqiptuar dy vendime kundër ish-kryetarit të Komunës së Tuzit, e aktualisht zëvendëskryeministër dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj.

Më 28 prill, gjykata konstatoi se Kristijan Dukaj, ish-këshilltar për marrëdhënie me publikun në kabinetin e atëhershëm të kryetarit të Komunës së Tuzit, ka qenë viktimë e mobingut në vendin e punës. Sipas vendimit, Dukaj për një periudhë të gjatë (maj 2020 – shkurt 2021) nuk është lejuar të kryejë detyrat përkatëse të punës, i janë mohuar kompetencat që kishte më parë dhe pa ndonjë arsye të justifikuar është zhvendosur përgjithmonë nga zyra.

Fillimisht, Gjykata Themelore kishte refuzuar kërkesat paditëse të Dukajt si të pabazuara, por Gjykata e Lartë e ktheu çështjen në rigjykim, duke theksuar se në vendimin e parë ishin bërë shkelje të rënda procedurale dhe ishte konstatuar vlerësim i gabuar i fakteve dhe provave. Pas rigjykimit, gjykata vendosi se Dukaj ka qenë realisht i ekspozuar ndaj mobingut në vendin e punës.

Ndërkohë, sot është bërë e ditur edhe një tjetër vendim i Gjykatës Themelore në Podgoricë, sipas të cilit ministri Gjeloshaj është shpallur fajtor për shpifje ndaj gazetarit të TV Vijesti, Danilo Ajkoviq. Gjykatësja Ivana Martiq e ka detyruar Gjeloshajn që t’i paguajë Ajkoviqit 1.800 euro për dëmtim të reputacionit dhe nderit, si dhe të mbulojë shpenzimet gjyqësore të avokates së gazetarit. Përveç kësaj, ai duhet ta publikojë vendimin e gjykatës, brenda 15 ditësh nga hyrja në fuqi, në versionin e shtypur dhe online të gazetës “Vijesti”, me shpenzimet e tij.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se Gjeloshaj gjatë dhjetorit të vitit 2022 ka shpifur disa herë ndaj Ajkoviqit, duke e akuzuar publikisht se ka realizuar reportazhe të paguara dhe të porositura. Këto akuza i ka bërë fillimisht përmes email-it zyrtar, më pas në deklarata për media para gjykatës, në faqen e tij zyrtare në Facebook, e madje edhe gjatë një seance gjyqësore.

Gjykata vlerësoi se nuk kishte asnjë bazë reale apo të qëndrueshme për akuzat ndaj gazetarit, dhe se deklaratat e Gjeloshajt kishin për qëllim diskreditimin e tij publik.

Nëse këto dy vendime bëhen të formës së prerë, Komuna e Tuzit dhe vetë Gjeloshaj do të duhet të paguajnë së paku 6 mijë euro për dëmet e shkaktuara.