Alarmi i Institutit për Shëndetin Publik: Rreth 2.700 raste të reja dhe 1.500 vdekje në vit. 40% e rasteve mund të parandalohen!
Çdo ditë, në Mal të Zi, shtatë persona dëgjojnë një nga fjalitë më të rënda në jetë: “Ju keni kancer.” Këto janë të dhënat zyrtare të Institutit për Shëndetin Publik të Malit të Zi (ISHP). Bëhet fjalë për njerëz të zakonshëm – familjarë, miq, kolegë – jetët e të cilëve ndryshojnë përjetësisht në një moment të vetëm.
Sipas vlerësimeve për vitin 2022, rreth 2.700 persona në vit diagnostikohen me ndonjë formë të sëmundjes malinje, ndërsa rreth 1.500 persona humbin jetën nga pasojat e saj. Statistikat janë tronditëse: një në katër qytetarë në Mal të Zi do të përballet me kancer gjatë jetës së vet.
Por lajmi pozitiv është se rreth 40% e rasteve me kancer mund të parandalohen – me mënyrë jetese të shëndetshme, kontrolle të rregullta dhe shmangien e faktorëve të rrezikut.
Java Evropiane e Luftës Kundër Kancerit: Mesazh për vetëdijesim dhe parandalim

ISHP i bashkohet fushatës ndërkombëtare Java Evropiane e Luftës Kundër Kancerit, që zhvillohet çdo vit nga 25 deri më 31 maj. Kjo nismë udhëhiqet nga Shoqata e Ligave Evropiane Kundër Kancerit (ECL) dhe synon të ngrejë vetëdijen mbi rëndësinë e parandalimit, trajtimit dhe mbështetjes për personat që preken nga kjo sëmundje.
Fushata përfundon me Ditën Botërore Pa Duhan, duke theksuar një nga faktorët kryesorë të rrezikut për zhvillimin e kancerit.
Kodi Evropian Kundër Kancerit: 12 hapa të thjeshtë që mund të shpëtojnë jetë
Në qendër të kësaj jave qëndron Kodi Evropian Kundër Kancerit – një udhëzues me 12 rekomandime të thjeshta dhe efektive për parandalimin e sëmundjes. Ky kod është i përkthyer dhe i disponueshëm për qytetarët e Malit të Zi në faqen zyrtare të ISHP-së:
📌 Lexoni më shumë këtu: https://www.ijzcg.me/me/registar-malignih-neoplazmi