Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi sërish shumicën se, sipas tij, ka përdorur bandat kriminale në zgjedhjet e 11 majit. Berisha i kërkon administratës së SHBA dhe Presidentit Donald Trump të shpallin si grupe terroriste ata që ai i cilëson si kartelet e drogës dhe të krimit shqiptar.
Komenti i Berishës vjen pas finalizimit të operacionit “Ura”, përmes të cilit u shkatërrua një rrjet ndërkombëtar i trafikut të drogës.
“I bëj thirrje presidentit Trump dhe qeverisë së SHBA të deklarojë terroriste këto grupe shqiptare, të cilat janë ndër më të rrezikshmet në rajon, Europë dhe në botë. Të cilat lëvizin miliarda, miliarda, miliarda euro, para droge dhe që i lajnë ato lirshëm, pa asnjë lloj kufizimi në Shqipëri me firmën e kreut të këtyre karteleve, kreut të organizatave kriminale, Edi Rama.
Deklarimi si organizata terroriste i organizatave mafioze të Shqipërisë është një kontribut serioz, i madh, për sigurinë në Shqipëri, për sigurinë në rajon, për sigurinë e NATO-s dhe Europës e më gjerë.
Ndaj dhe garantoj se PD është e gatshme të paraqesë çdo dokument, çdo provë që fakton implikimin direkt të Edi Ramës, Olsi Ramës, Taulant Ballës, Ervin Hoxhës dhe shumë të tjerëve në aktivitetet e karteleve më të rrezikshme të rajonit dhe botës.
Pra, jam këtu para jush për të theksuar edhe njëherë para shqiptarëve se dita e djeshme shënon një moment kthese shumë të rëndësishme për shqiptarët, për Shqipërinë, rajonin dhe Europën, damkosjen e grupeve kriminale shqiptare, organizatave të lidhura me qeverinë dhe Edi Ramën, si kartele droge.
Të gjithë ata të cilët hezitonin apo u dukej paksa i largët, si i çuditshëm, etiketa e narkoshtetit në Shqipëri, tani nuk duhet të kenë më asnjë dyshim”, tha Berisha.