Presidenti Malazez: E ardhmja ndërtohet mbi drejtësi, pajtim dhe vlera të përbashkëta

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, me rastin e 19-vjetorit të pavarësisë së vendit, deklaroi se e ardhmja e Malit të Zi duhet të ndërtohet jo vetëm mbi reforma ekonomike dhe institucionale, por mbi themele të forta vlerash që promovojnë drejtësinë, përgjegjësinë dhe pajtimin historik.

Në një intervistë për agjencinë MINA, Milatoviq kujtoi 21 majin e vitit 2006 si ditën kur qytetarët vendosën që Mali i Zi të bëhet sërish një shtet i pavarur. “Atë ditë fituam shtëpinë tonë, por edhe përgjegjësinë për ta ruajtur dhe zhvilluar në frymën e bashkësisë dhe të demokracisë,” tha ai.

Ai theksoi rëndësinë e historisë dhe trashëgimisë, duke shtuar se ajo duhet të jetë frymëzim për gjeneratat e ardhshme. “Duke u përballur me të kaluarën tonë, ne ndërtojmë të ardhmen me më shumë përgjegjësi dhe drejtësi,” tha Milatoviq.

Reforma demokratike dhe përfshirja qytetare

Një nga nismat që Presidenti theksoi është ajo për rehabilitimin e viktimave të Goli Otokut, të cilën e cilësoi si një hap drejt drejtësisë dhe pajtimit kombëtar. Kjo nismë ka marrë mbështetje të gjerë nga autoritetet lokale, shoqëria civile, politikanë dhe familjarë të viktimave.

Milatoviq po ashtu vuri theksin te rëndësia e listave të hapura zgjedhore, duke e quajtur këtë një hap të domosdoshëm për shëndetin e jetës politike në vend. “Listat e hapura do t’i japin më shumë fuqi qytetarëve dhe do të zvogëlojnë ndikimin e partive mbi përfaqësimin politik,” tha ai.

Politika e jashtme dhe integrimi evropian

Presidenti theksoi përkushtimin e Malit të Zi për të përmbushur obligimet që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO dhe për të përfunduar me sukses rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE. Ai përmendi pjesëmarrjen aktive në samite rajonale dhe arritjen më të fundit – anëtarësimin si vend i asociuar në Iniciativën e Tri Deteve – si dëshmi të diplomacisë aktive të vendit.

“Crna Gora po pozicionohet si faktor stabiliteti në Ballkan dhe anëtar i denjë i komunitetit euroatlantik,” u shpreh Milatoviq.

Rritja ekonomike dhe investimet

Presidenti theksoi nevojën për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, me fokus në mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, përgjegjësinë fiskale dhe investime strategjike në infrastrukturë. Ai u angazhua për rritjen e transparencës në partneritetet publike dhe tërheqjen e investimeve të huaja që i shërbejnë interesit publik.

Ai gjithashtu ka qenë kritik ndaj disa “devijimeve” në funksionimin e pushtetit ekzekutiv dhe ligjvënës, duke shpresuar se do të korrigjohen përmes një marrëdhënie më të përgjegjshme ndaj qytetarëve.

Roli i të rinjve dhe kultura

Milatoviq nënvizoi se të rinjtë janë thelbësorë për të ardhmen e vendit. Ai prezantoi një nismë për dhënien e bursave për studime në universitetet më të mira botërore, me synimin që këta të rinj të kthehen dhe të kontribuojnë në vend. Kabineti i tij ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Shkencave Politike për t’u dhënë studentëve mundësi praktike.

Duke folur për kulturën, Milatoviq tha se kultura është themel i identitetit kombëtar dhe duhet të jetë e qasshme për çdo qytetar, në çdo cep të vendit. Ai është angazhuar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe përkrahjen e krijimtarisë artistike.

“Të ndërtojmë një shoqëri të drejtë”

Në fund, Milatoviq përcolli mesazhin se Mali i Zi nuk ka kohë për të humbur. “Është koha të ndërrojmë atë që nuk funksionon, të krijojmë një hapësirë politike ku qytetari është vërtet sovran dhe demokracia funksionon në praktikë, jo vetëm në letër,” përfundoi ai.