Mjeshtri i violinës, Tedi Papavrami, është një personalitet krijues me suksese të mëdha botërore.

Violinisti lindi më 13 maj 1971. Nxënësi i talentuar i shkollës artistike “Jordan Misja” do të interpretonte që në moshë të hershme me Orkestrën Filarmonike të Tiranës. Tedi Papavrami u konsiderua një “enfant prodige” që në vegjëli sa i përket aftësive interpretative. I kthyer në një imazh të suksesit kulturor të qeverisë së kohës, Tedit do t’i akordohej një bursë studimi pranë konservatorit të Parisit. Në shtator 1982, qeveria franceze i ofroi një bursë dhe Tedi studioi pranë Conservatoire National Superieur de Musique në Paris, nën drejtimin e Pierre Amoyal. Ndryshimet politike dhe vdekja e diktatorit Hoxha, do ta përafronin Papavramin më shumë me Francën, prej së cilës u ndikua thellësisht në pikëpamjen kulturore.
Në vitin 1985 fitoi konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia, në 1986 fiton me unanimitet “Çmimin e parë të Konservatorit të Parisit”, në vitin 1987 mori diplomën e Konservatorit të Lozanës. Në një intervistë para ca kohësh Papavrami u shpreh: “Unë kam ardhur në Francë, fillimisht si bursist. Sa isha në moshën 9 vjeç, më erdhi një propozim nga Franca që të studioja në këtë shtet. Sigurisht që ishte e komplikuar të më lejonin, sepse në atë kohë ishte regjimi komunist dhe kjo ishte e pamendueshme për një fëmijë, ndërkohë që në moshën 11 vjeç më lejuan të studioja në Paris. Në atë kohë, unë sapo kisha fituar një konkurs në Itali, konkurs internacional, e që shteti shqiptar komunist ishte shumë krenar për këtë”.
Violonçelisti ka treguar rrugëtimin e tij në Francë, që, në fakt, s’ishte fare i lehtë për të si një fëmijë me ambicie të mëdha.
“Sa isha në Paris, mamaja më shoqëronte për të jetuar, sepse isha shumë i ri, më pas lejuan edhe babain tim të vinte të na takonte gjatë pushimeve. Ne vendosëm të qëndronim në Francë, sepse ishte e vetmja mundësi që ne të tre të ishim bashkë jashtë Shqipërisë, ku në atë kohë nuk hyhej dhe nuk dilej kollaj në shtetet sikurse ishte Franca, bile ishte pothuajse e pamundur, kjo sepse unë po arrija në përfundim të studimeve dhe në atë kohë do të duhej të kthehesha dhe nuk do të mund të dilja më nga Shqipëria, sepse ishte regjimi komunist. Në atë moment ne qëndruam përgjithmonë në Francë, ku kërkuam azil politik, që e morëm shumë shpejt”,-tregon Tedi.
Ai ka interpretuar me orkestra të njohur në Evropë, Afrikë, Turqi, Japoni apo edhe Izrael. Papavrami ka fituar vazhdimisht çmime si dhe ka interpretuar me orkestra prestigjioze nga vende të ndryshme të botës. Në vitet në vazhdim, krahas tingullit identifikues të tij në veprat e Paganinit, të Brahmsit dhe të Prokofievit, Papavrami u shfaq për publikun edhe si përkthyesi i Kadaresë, në gjuhën frënge.
VENDIMI I VËSHTIRË
Duke përfituar nga disa bursa që filloi të jepte qeveria franceze nga fillimi i viteve ’80-të, në Francë u dërguan edhe disa nxënës për të studiuar në shkollat e artit. Siç ishte një fëmijë i vogël i quajtur Tedi Papavrami, virtuozitetin e të cilët e zbuluan vetë pedagogët francezë kur ishin në Tiranë. Dhe në bazë të një marrëveshje, ata e morën Papavramin e vogël (bashkë me nënën e tij, për ta shoqëruar dhe kujdesur gjatë atyre viteve në Francë) për ta perfeksionuar në një nga shkollat më në zë të muzikës që kishte Parisi. Por marrëveshjet në fjalë me Francën për dërgimin e nxënësve dhe studentëve shqiptarë atje, doli jashtë parashikimi të Tiranës zyrtare?!
Diku nga fillimi i muajt mars të vitit 1986 sipas Memorie.al në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, (me anë të një telegrami shifër sekret) mbërriti një njoftim i pazakontë. Ambasadori shqiptar në Paris, Maxhun Peka, bashkangjitur telegramit në fjalë, u dërgonte eprorëve të tij më të lartë në Ministrinë e Jashtme, një letër që atij sapo ia kishin dërguar, Jolanda dhe Robert Papavrami, dy prindërit e violinistit të vogël. Papavramët në atë letër i bënin me dije ambasadorit Peka, se ata kishin vendosur që të qëndronin përgjithnjë në Francë dhe se atë vendim që për ta konsiderohej “shumë i shëmtuar ndaj atdheut dhe Shqipërisë”, ata e kishin ndërmarrë me koshiencë të plotë. Ashtu siç do të shohim edhe në dokumentet e rralla që publikohen për herë të parë në faqet e këtij libri, letra në fjalë e prindërve të Tedi Papavramit në adresë të ambasadorit Maxhun Peka është mjaft e shkurtër dhe tepër koncize për mesazhin që ata kërkonin të përcillnin mjaftueshëm me anë të saj. Por ata i bënin me dije atij (ambasadorit Peka),se krahas saj, i kishin dërguar edhe një letër tjetër, në adresë të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSH-së, “shokut Ramiz Alia”.
Ku i shpjegonin me detaje arsyet e vërteta që i kishin çuar ata të merrnin atë vendim për të qëndruar përgjithnjë në Francë. Në letrën e dërguar ambasadorit Peka, (letra dërguar Ramiz Alisë nuk është në dosjen përkatëse prej nga janë marrë këto dokumente), shihet qartë se Robert dhe Jolanda Papavrami janë kujdesur jo vetëm për t’i shfajësuar si ambasadorin dhe personelin e ambasadës me të cilin kishin lidhje dhe marrëdhënie tepër korrekte, por dhe për të “mos u armiqësuar” me regjimin komunist të Tiranës, nga i cili çdo gjë mund të pritej?! Letra në fjalë me tone të zbutura dhe deri diku edhe në formë lutje, duket se ka pasur vetëm një qëllim; atë të mos prekjes së gjyshërve të Tedit që banonin në Tiranë. Pra, që veprimi i tyre, të mos u sillte pasoja, Teodor Papavramit, mjekut të famshëm (në atë kohë ishte me punë në Spitalin Ushtarak në Tiranë), që jetonte me bashkëshorten e tij diku në fillim të Rrugës së Dibrës, në një shtëpi të vogël, por mjaft të bukur. Por duket se Robert dhe Jolanda Papavrami, “i kishin bërë hesapet pa hanxhinë”?! Pasi pikërisht aty ku ishte dhe pika më e dobët e tyre, aty u hakmor regjimi komunist i Tiranës. Kështu pas kësaj ngjarje, dy bashkëshortët Papavrami, u hoqën nga shtëpia e tyre dhe u internuan diku në mes malesh, në një fshat të humbur të Shqipërisë së Mesme.
INTERPRETIMET
Tedi Papavrami është muzikant, instrumentist si dhe përkthyes i veprës së Ismail Kadaresë në frëngjisht pasi më 2001 ndërroi jetë Jusuf Vrioni. Ai u lidh me violinën që në moshën katërvjeçare. Studioi violinë me të atin, profesorin e njohur Robert Papavrami, i cili ka ndikuar mjaft në të ardhmen e tij artistike. Në moshën 8 vjeçare, interpreton “Arie Bohemienne të Sarasate me orkestrën Filarmonike të Tiranës dhe tre vjet më vonë koncertin e parë për violinë të Paganini-t. Ai ishte shumë i talentuar dhe i ati besonte shumë te talenti i tij. Ky i fundit ishte i vendosur që Tedi të bëhej dikush në jetë në shtator 1982, falë flautistit Alain Marion, qeveria franceze i ofron një bursë studimi në Francë ku studion pranë Conservatoire National Superieur de Musique në Paris, nën drejtimin e Pierre Amoyal. Në vitin 1985 fiton konkursin “Rodolfo Lipitzer” në Gorizia, në 1986 fiton me unanimitet “Çmimin e parë të Konservatorit të Parisit, në vitin 1987 merr diplomën e Konservatorit të Losanës.
Më pas ndjek studimet muzikore nën drejtimin e Zino Francescati e Viktori Mullova. Në vitin 1992 vlerësohet nga Sacem me çmimin “George Enescu” dhe në 1993 fiton çmimin e parë dhe çmimin special të publikut në konkursin ndërkombëtar “Sarasate “ në Pamplona. Tedi krahas karrierës së tij si violinist ka përkthyer veprat e Ismail Kadaresë pas vdekjes se Jusuf Vrionit në vitin 2002 dhe luan personazhin kryesor në filmin “Kronikë provinciale”. Ai ka interpretuar në Evropë, Afrikën e Jugut, Turqi, Japoni, Izrael, me orkestra të njohura si Orchestra di Bologna, Bamberger Symphoniker, etj.. Ka interpretuar nën drejtimin e dirigjentëve të njohur si K.Sanderling, C.Hogwood, A. Pappano, L.Langree, G. Varga, Z.Macal, J.C.Casadesus, etj.
Në stinët 2000-2001 ka interpretuar me Orchestre Philarmonique de Nice, Orquesta Sinfonica de Galica, Orchestre Philarmonique de Liege, etj si dhe ka zhvilluar disa turne në Japoni me “24 capricci” të Paganinit dhe është ndër të paktët violinistë që interpreton integrale. Artisti i gjithanshëm Tedi Papavrami interpreton rregullisht repertorin e muzikës së dhomës së bashku me P.Bianconi, H.Sermet, M.Rubackyte, P.Meyer, E.Lesage, R.Oleg, G.Hoffman, etj. Ka interpretuar ne filmin Kronikë provinciale (2009)