Ulqinit i duhen miliarda – më shumë se çdo qyteti tjetër. Jo vetëm për investime luksoze, por për të zgjidhur problemet e akumuluara ekologjike, urbanistike, infrastrukturore dhe ekonomike, deklaroi drejtori ekzekutiv dhe anëtar i Kryesisë së Lëvizjes “Evropa Tani”, Vlade Bojoviq.
“Ulqini është e vetmja komunë bregdetare në Mal të Zi që përdor fondin e barazimit (për komunat e pazhvilluara), dhe kjo nuk mund të ndryshohet me thirrje emocionale apo pankarta të aktivistëve ekologjikë apo partiakë,” theksoi Bojoviq.
Sipas tij, para çdo diskutimi, është e rëndësishme të njihen disa fakte.
“Shteti i Malit të Zi zotëron 14 milionë metra katrorë në prapavijën e Plazhit të Madh – që përbën 70 për qind të sipërfaqes totale. Kjo zonë është plotësisht e pashfrytëzuar, ndryshe nga vetë plazhi që ‘jeton’ vetëm tre deri në katër muaj në vit,” theksoi ai.
Sipas Bojoviqit, udhëtimi deri në Ulqin gjatë verës zgjat deri në tre orë, për shkak të mungesës së infrastrukturës së duhur rrugore – qoftë nga kufiri apo nga aeroportet më të afërta.
“Prapavija është kthyer prej dekadash në një deponi të egër, e mbushur me mbeturina të ngurta dhe komunale, ku enden lirshëm tufa lopësh. Lumi Buna, që rrethon këtë zonë, pranon derdhje fekalesh dhe mbetjesh industriale, jo vetëm nga Ulqini por edhe nga Shqipëria fqinje,” shtoi Bojoviq.
Ai theksoi se erozioni i Bunës rrezikon drejtpërdrejt bregun dhe vetë Plazhin e Madh.
“Ulqini nuk ka as infrastrukturë bazë: as kolektor, as rrugë moderne, as aeroport, as spital – asgjë që do të mundësonte funksionim normal, e jo më turizëm të qëndrueshëm. Qyteti është dëmtuar rëndë gjatë tri dekadave të fundit, përmes privatizimeve të dështuara dhe ndërtimit të pakontrolluar. Tenderi për dhënien me qira të plazheve tregoi se më të interesuarit ishin qiramarrës të lidhur me strukturat politike lokale – të cilat në vitet e kaluara nuk janë dalluar për menaxhim të përgjegjshëm,” deklaroi Bojoviq.