Interpoli lëshon urdhërarreste për liderin serb të Bosnjës dhe kryetarin e kuvendit të RS-së

Interpoli ka lëshuar urdhërarreste ndërkombëtare për liderin serb të Bosnjës, Milorad Dodik, dhe kryetarin e kuvendit të entitetit serb të Republikës Srpska (RS), Nenad Stevandić, sipas një raporti të gazetës serbe Politika.

Sipas raportit, urdhër-arrestet, të iniciuara nga zyra e Interpolit në Sarajevë, bazohen në akuza penale kundër dy zyrtarëve për shkelje të dyshuar të rendit kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës, sipas nenit 156 të Kodit Penal të vendit.

Urdhër-arrestet janë shpërndarë në të gjitha shtetet anëtare të Interpolit, por ende janë në proces shqyrtimi ligjor, sipas Politika-s.

Dodik kohët e fundit udhëtoi në Serbi për një ceremoni përkujtimore të 26-vjetorit të operacionit të NATO-s “Allied Force”.

Më 26 mars, Policia Kufitare e Bosnjës hapi një hetim për mënyrën se si Dodik kaloi kufirin në Serbi, pavarësisht urdhërarrestit aktiv.

Megjithatë, Dodik raportohet se u largua nga Serbia për në Izrael po atë ditë.