Komunat bregdetare të Malit të Zi kanë bërë apel për miratimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Mjedisin Detar, duke kërkuar më shumë kompetenca në menaxhimin e bregdetit. Ato duan të kenë kontroll mbi procesin e mbrojtjes së mjedisit detar, infrastrukturën komunale, portet dhe planifikimin e plazheve.
Sipas propozimit, një kompani e re do të krijohej nga Qeveria për të zbatuar këto reforma, ndërsa Ndërmarrja Publike për Menaxhimin e Mjedisit Detar do të mbetej në rolin e kontrolluesit.

Kjo iniciativë, e përkrahur nga gjashtë komuna bregdetare, u prezantua në një konferencë për media, ku u paraqitën ndryshimet dhe plotësimet e propozuara të ligjit.
Decentralizimi për zhvillim më të shpejtë
Deputeti i Aleancës Shqiptare, Ilir Çapuni, deklaroi se ky propozim vjen si pasojë e ritmit të ngadaltë të investimeve në komunat bregdetare dhe nevojës për një qasje më efikase.
“Kjo paketë ligjore është rezultat i punës së të gjitha komunave bregdetare dhe i Bashkësisë së Komunave. Ndryshimi më i rëndësishëm është rikthimi i menaxhimit tek komunat, sepse ato e njohin më së miri situatën dhe nevojat e tyre,” tha ai.

Sipas Çapunit, komunat do të fitonin kontrollin, ndërsa një kompani e re, nën mbikëqyrjen e Qeverisë, do të merrej me administrimin. Ai shtoi se ndryshimet janë hartuar gjatë gjashtë muajve të fundit dhe janë në përputhje me konventat ndërkombëtare, duke apeluar që të mbështeten nga deputetët në Kuvend.
Deputeti i Demokratëve, Momçilo Lekoviq, e cilësoi këtë një hap të rëndësishëm për komunat bregdetare, pasi për dekada, sipas tij, mjedisi detar është keqmenaxhuar.
“Zëri i komunave nuk është dëgjuar, ndërsa të ardhurat nuk janë investuar siç duhet. Ka ardhur koha që menaxhimi të bëhet nga ata që e njohin më mirë situatën,” theksoi ai, duke shtuar se qeverisja mbi mjedisin detar nuk duhet të mbetet e centralizuar.
Mbështetje e gjerë nga komunat bregdetare
Çapuni bëri të ditur se ndryshimet ligjore janë nënshkruar nga pesë deputetë të Aleancës Shqiptare, Forumit Shqiptar, Partisë Boshnjake dhe Demokratëve. Ai sqaroi se ndryshimet do të ishin propozuar më herët, por për shkak të situatës politike, nuk u miratuan në dhjetor.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, e cilësoi këtë iniciativë si një hap të rëndësishëm demokratik, duke theksuar se mbështetja e saj nga parti dhe koalicione të ndryshme tregon unitetin për këtë çështje.
“Ne kemi ofruar një zgjidhje të drejtë për menaxhimin e mjedisit detar. Qeveria do të ketë rolin e monitoruesit, por komunat do të menaxhojnë vetë asetet e tyre,” tha ai.
Kryetari i Komunës së Herceg Novit, Stevan Katiq, tha se pret që Kuvendi ta miratojë ligjin.
“Herceg Novi mund të menaxhojë më mirë hapësirat e veta sesa ka ndodhur deri tani. Ky është një impuls i ri për zhvillimin e qytetit tonë,” theksoi ai. Katiq gjithashtu zbuloi se po negocion me Komunën e Tivatit për të marrë në dorëzim linjën e tragetit Kamenari-Lepetane, duke krijuar një kompani të përbashkët për ta menaxhuar atë.
Përfitime për komunitetin lokal
Kryetari i Komunës së Kotorrit, Vladimir Jokiq, tha se ndryshimet e propozuara do t’i japin komunave më shumë autonomi.
“Kotori menaxhon me sukses hapësirat publike në Qytetin e Vjetër pa probleme korruptive. Nuk ka arsye pse komunat e tjera të mos bëjnë të njëjtën gjë,” argumentoi ai.
Kryetari i Komunës së Budvës, Nikola Jovanoviq, tha se është optimist për miratimin e ndryshimeve dhe shtoi se sistemi aktual dëmton interesat e qytetarëve lokalë.
“Sot, ne humbasim të ardhura të cilat nuk kthehen në komunitetin tonë. Porti i Budvës i është dhënë sërish për menaxhim Ndërmarrjes për Mjedisin Detar dhe mund të jepet me koncesion. Kjo është një provë për ata që në fushatën zgjedhore premtuan heqjen e kësaj ndërmarrjeje dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian, i cili kërkon decentralizim,” theksoi ai.
Kryetari i Komunës së Barit, Dušan Raiçeviq, tha se iniciativa është paraqitur që në dhjetor dhe se tenderët e mëparshëm kanë treguar nevojën për këtë reformë.

Ndërsa kryetari i Komunës së Tivatit, Željko Komnenoviq, tha se nuk mban mend kur komunat bregdetare kanë qenë kaq të bashkuara rreth një iniciative të përbashkët.
Çështja e tenderëve dhe investimet e huaja
Nimanbegu sqaroi se ndryshimet e propozuara nuk e zgjidhin çështjen e tenderëve ekzistues, por përmes tyre synohet që komunat të kenë më shumë kohë për të harmonizuar kërkesat e qytetarëve me rregullimin e bregdetit.
Ai gjithashtu përmendi një takim të planifikuar me biznesmenin Mohamed Alabar, kompania e të cilit ka në plan një projekt prej disa miliardë eurosh në Ulqin, duke premtuar më shumë detaje në ditët në vijim.