Spajiq: Alabar kërkon kompleks turistik, po shqyrtohen modele të ndryshme investimi

Pas mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Milojko Spajiq mbajti një konferencë për shtyp, ku foli edhe për projektet e kabinetit të tij që lidhen me Ulqinin.

“Jemi njohur me investitorin. Ai kërkon të ndërtojë një kompleks turistik dhe një nga destinacionet që po shqyrton është Mali i Zi. Po angazhohemi për të siguruar një investim të tillë. Po shqyrtohen modele të ndryshme bashkëpunimi. Nuk bëhet fjalë për shitje të tokës, ky është një kapitull i mbyllur,” deklaroi Spajiq, duke cituar CdM.

I pyetur nëse Mohamed Alabar ka kërkuar të marrë me qira Plazhin e Madh të Ulqinit për 99 vjet, Spajiq theksoi se po synohet një model investimi të përbashkët.

“Nëse projekti do të realizohej në Ulqin, do të ndërtohej marina më e madhe në Adriatik, një aeroport, një spital, si dhe do të rinovohej Kalaja e Ulqinit. Qëllimi i projektit është të tërheqë turistë nga Evropa Perëndimore. Këto janë projekte të mëdha strategjike që nuk duhet t’i lëmë të na ikin. Nëse një investitor që ofron 20 deri në 30 miliardë investime është i padëshiruar, çfarë mesazhi po u dërgojmë investitorëve të tjerë?” u shpreh ai.

Në lidhje me takimin e tij me Alabarin dhe përfaqësuesit e komunës së Ulqinit, si dhe liderin e DUA-s, Mehmet Zenka, Spajiq sqaroi se investitori ishte në tranzit dhe ndaloi në Mal të Zi për një vizitë.

“Ai dëshiron një bashkëpunim afatgjatë dhe po shpreh vullnet të mirë ndaj Malit të Zi,” shtoi kryeministri.

Duke komentuar deklaratën e liderit të GP URA, Dritan Abazoviq, i cili pretendoi se Spajiq i ka shkaktuar dëm reputacional Alabarit, kryeministri i bëri thirrje aktorëve politikë të shmangin deklaratat populiste pa bazë.

“Në vend të projekteve të vogla si kartingjet dhe makinat me pedale, duhet të fokusohemi te ëndrrat e mëdha,” theksoi ai.

Spajiq siguroi se, pavarësisht se ku do të zhvillohet ky projekt, nuk do të ketë ndryshime në strukturën demografike.

“Ky është një projekt strategjik dhe ekskluziv, ku do të respektohet arkitektura lokale dhe komuniteti,” nënvizoi ai.

Ai gjithashtu përsëriti se Qeveria nuk do të shesë tokë.

“Shteti nuk do të shesë më asnjë pjesë strategjike të territorit, por do të investojë së bashku me kompanitë më të mëdha botërore. Presim përshpejtimin e projekteve infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e autostradës Adriatiko-Joniane. Investitori ka shprehur interes për ndërtimin e infrastrukturës lokale në Ulqin dhe për ndërtimin e një aeroporti. Kjo do të ishte një marrëveshje mes shteteve të Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe,” përfundoi Spajiq.