
Deklaratë e deputetit në Kuvendin shtetror Artan Çobit.
Fatkeqësisht, paralajmërimet tona se prokurimi publik për qiradhënien e plazheve në Mal të Zi do të shëndërrohet në farsë për të plotësuar qëllimet dashakeqe të strukturave të caktuara, dolën të jenë të sakta.
Ishte evidente që në fillim se pas qëllimit të proklamuar për të vendosur rend në këtë sektor nuk ka asgjë tjetër përveç kalimit të resurseve më të vlefshme të vendit në duar të kapitalit të dyshimtë . Ne vend që të eliminoheshin mbeturinat e asaj “strategjie” që ishte në fuqi për 30 vite, u kalua në një fazë edhe më agresive dhe absurde.
Por e kanë gabim këta të “rinjtë” nëse mendojnë se Ulqini do të ul kokën e do të pranojë të zvarret nëpër baltë si tentuan të bëjnë edhe ata të “vjetrit”.
Pa marrë parasysh se cilin emër mbajnë para vetes apo kombit, ne do ta dëshmojmë se nuk lejojmë të na marrin nëpër këmbë duke na hequr të ardhmen tonë. E kemi treguar këtë kur kemi mbrojtur Valdanosin e Kriporen, e do të vazhdojmë edhe me plazhet.
Kjo nuk është luftë për qiramarrësit e plazheve, qofshin nga Ulqini apo të huaj, por për të drejtën tonë që të trajtohemi me respekt dhe dinjitet.
Në vazhdim do të ndërmarrim të gjithë hapat e domosdoshëm, politik dhe juridik, për ti bërë ballë këtij kërcënimi.
Besoj se në këtë jemi të bashkuar të gjithë.