NYT: Përplasje e madhe mes Muskut dhe Rubios para syve të Trumpit

Para 1 ore
Dëgjo këtë artikull tani…NYT: Përplasje e madhe mes Muskut dhe Rubios para syve të Trumpit
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ishte i zemëruar. Ai ndodhej në Dhomën e Kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, i ulur pranë presidentit amerikan, Donald Trump dhe duke dëgjuar një lumë sulmesh nga njeriu më i pasur në botë, Elon Musk.
I ulur diagonalisht përballë tij, përtej tryezës ovale Musk po e sulmonte ashpër Rubion, duke e akuzuar se kishte dështuar në shkurtimin e stafit të tij.
“Nuk ke pushuar askënd”, i tha Musk me përçmim Rubios, duke shtuar se ndoshta i vetmi person që ai kishte pushuar ishte një punonjës nga Departamenti i Efiçencës Qeveritare i vetë Muskut, shkruan newyorktimes.
Rubio raportohet se ka javë që është zemëruar me Muskun prej javësh, që kur ekipi i miliarderit kishte mbyllur në mënyrë efektive një agjenci të tërë që supozohej të ishte nën kontrollin e tij: Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Por, në takimin e jashtëzakonshëm të kabinetit të enjten, përpara presidentit Trump dhe rreth 20 të tjerëve – detaje që nuk ishin raportuar më parë – Rubio më në fund e shprehu pakënaqësinë e tij.
Musk nuk u impresionua. Ai i tha Rubios se ishte “i mirë në televizion,” me nëntekstin e qartë se për gjëra të tjera nuk vlente shumë. Gjatë gjithë debatit, presidenti qëndroi i shtrirë në karrigen e tij, me krahët e kryqëzuar, sikur po ndiqte një ndeshje tenisi.
Lexo po ashtuKush është shkarkuar nga qeveria amerikane deri më tani?
Kur debati vazhdoi për një kohë të gjatë në mënyrë të sikletshme, Trump ndërhyri më në fund për të mbrojtur Rubion, duke thënë se ai po bënte një “punë të shkëlqyer”. Rubio kishte shumë përgjegjësi, tha presidenti. Ai ishte shumë i zënë, gjithmonë në udhëtime dhe në televizion, dhe kishte një agjenci për të drejtuar. Prandaj, të gjithë duhet të punojnë së bashku.
Takimi përbënte një pikë të mundshme kthese pas javëve të para kaotike të mandatit të dytë të Trumpit. Ai dha sinjalin e parë të rëndësishëm se presidenti ishte i gatshëm të vendoste disa kufizime për Muskun, përpjekjet e të cilit ishin bërë subjekt i disa padive dhe kishin shkaktuar shqetësime tek ligjvënësit republikanë, disa prej të cilëve ishin ankuar drejtpërdrejt tek presidenti.
Zyrtarët e kabinetit, pothuajse të gjithë, e pëlqenin konceptin e asaj që Musku kishte ndërmarrë – uljen e shpërdorimeve, mashtrimeve dhe abuzimeve në qeveri – por ishin të irrituar nga qasja brutale për ta reformuar atë dhe mungesa e koordinimit të qëndrueshëm.
Takimi i së enjtes, i planifikuar papritur të mërkurën në mbrëmje, ishte një tregues se Trump ishte i vetëdijshëm për ankesat në rritje. Ai u përpoq t’i jepte diçka secilës palë duke lavdëruar si Muskun, ashtu edhe sekretarët e kabinetit. (Të paktën një prej tyre, Sekretarin e Thesarit, Scott Bessent, i cili kishte pasur përplasje me ekipin e Muskut, nuk ishte i pranishëm.) Presidenti e bëri të qartë se ende e mbështeste nismën e Muskut. Por tani ishte koha, tha ai, për një qasje më të rafinuar.
Nga tani e tutje, sekretarët do të kishin kontrollin; ekipi i Muskut do të kishte vetëm rol këshillues.
Nuk është e qartë se cili do të jetë ndikimi afatgjatë i këtij takimi. Musk mbetet mbështetësi më i madh financiar i Trumpit – vetëm këtë javë super PAC-u i tij transmetoi reklama me vlerë 1 milion dollarë që thoshin “Faleminderit, President Trump” – dhe kontrolli i Muskut mbi rrjetin social X ka bërë që stafi i administratës dhe sekretarët e kabinetit të kenë frikë se ai mund t’i shënjestrojë ata publikisht. /Telegrafi/