Inflacioni në Mal të Zi po rritet me shpejtësi: Frutat janë bërë luks

Analistët ekonomikë theksojnë se në këtë periudhë, për shkak të kërkesës së shtuar gjatë sezonit turistik, tregtarët në tregjet e gjelbra dhe supermarketet thjesht po përpiqen të përfitojnë sa më shumë. Inflacioni në Mal të Zi po përshpejtohet dhe gjatë vitit të fundit ka arritur pothuajse katër për qind, sipas të dhënave të Monstat-it.

Edhe pse Qeveria përmes nismës “Çmime të kufizuara” arriti në njëfarë mase ta mbajë inflacionin nën kontroll, muajt e fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e çmimeve të shërbimeve të ndryshme, si dhe pjesërisht e ushqimeve dhe pijeve. Ndërsa shumë qytetarë thonë se edhe frutat janë bërë luks – analistët paralajmërojnë: mirë është nëse rritja e çmimeve ndalet këtu.

Nëse çmimet do të përcaktoheshin vetëm nga cilësia, atëherë në tregun e Podgoricës do të shitej fruta nga parajsa.

Kështu, një kilogram pjeshkë dhe kajsi kushton deri në gjashtë euro, ndërsa qershitë deri në 12 euro.

Kilogrami i rrushit arrin deri në dhjetë euro, ndërsa për dardhat duhet të paguhet rreth katër euro. Luleshtrydhet fillojnë nga pesë euro e më lart.

Frutat, që për shumëkënd janë kthyer në luks, janë një pasqyrim i drejtpërdrejtë i rritjes së çmimeve, të cilat, sipas Monstat-it, në maj të këtij viti krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, janë rritur mesatarisht me gati katër për qind. Analistët theksojnë se kërkesa e shtuar për shkak të sezonit turistik ka shtyrë tregtarët të rrisin çmimet për përfitim më të madh.

“Frika më e madhe është se vjeshta mund të sjellë një të ashtuquajtur spirale të rritjes së çmimeve, dhe për pasojë inflacioni në Mal të Zi të arrijë nivele shumë më të larta krahasuar me vitin 2024. Këtë e paralajmërojnë edhe ekspertë të BE-së dhe Eurostat-it”, deklaroi Jovo Rabrenović, analist ekonomik.

Faktorët kryesorë që po nxisin inflacionin janë rritja e çmimeve të shërbimeve shëndetësore, barnave, restoranteve dhe kafeneve – pra, kryesisht në sektorin e turizmit. Po ashtu, janë rritur ndjeshëm qiratë, çmimi i ujit në disa qytete, si dhe çmimet e alkoolit dhe duhanit. Ushqimet dhe pijet, ndonëse në fund të listës, kanë pësuar një rritje të ndjeshme prej katër për qind.

“Balanca po ruhet përkohësisht falë stabilitetit të çmimeve të energjisë, sidomos energjisë elektrike, por është e qartë se pritet edhe një rritje e mundshme në këtë sektor”, shtoi Rabrenović.

Në dy vitet e fundit është rritur ndjeshëm edhe çmimi i kafes, prodhimi i së cilës po përballet me sfida të shumta – nga ndryshimet klimatike deri te spekulimet në bursat botërore. Adhuruesit e kësaj pijeje, me të cilën shumë e nisin ditën, sot paguajnë rreth 30 për qind më shumë se një vit më parë.

Kështu që për një kafe të zakonshme “dojç”, nga një euro e dyzet sa kushtonte më parë, tani paguhen nga një euro e gjashtëdhjetë deri në dy euro.

Gjatë 12 muajve të fundit, e vetmja gjë që është liruar është karburanti – me një ulje prej gati dhjetë për qind.

Qeveria ka zbatuar për disa muaj iniciativën “Çmime të kufizuara”, por televizioni “Vijesti” nuk ka arritur të marrë përgjigje nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik për efektet aktuale të kësaj mase dhe mënyrat për të përballuar inflacionin në rritje.